Kulturë

“Kënaqësia e leximit”, libri më i ri i Xhevat Sylës

“Kënaqësia e leximit”, libri më i ri i Xhevat Sylës
“Kënaqësia e leximit”, libri më i ri i Xhevat Sylës

Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra”, libri më i ri i Xhevat Sylës, trajton shkrime për letërsinë për fëmijë, por edhe për atë për të rritur.

Sipas autorit, në shqyrtim janë shumë vepra të autorëve tanë të njohur, por edhe shkrime për autorë dhe çështje të zhvillimit të letërsisë.

Ndryshe, Syla është një prej shkrimtarëve të rrallë që shkruan e kultivon letërsi për fëmijë.

Sipas vlerësimit kritik, ai është një prej vrapuesve më të mirë në maratonën e shkrimtarëve të cilët më të vegjëlve iu dhanë plot libra e personazhe, për t’u rritur më bukur e më hareshëm.

Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra”, u botua nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2023.

Xhevat Syla, poet, shkrimtar, studiues

Më poshtë po e japim të plotë Parathënien e librit “Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra

Libri “Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra” përmbledh disa shkrime të mia të viteve të fundit për letërsinë dhe vjen si vazhdim i librave “Kush e shkruan poezinë” (2005) dhe “Më shumë se mbresa” (2016). Edhe ky libër përmban studime, recensione, artikuj e shkrime të tjera për shkrimtarë dhe vepra letrare për fëmijë, si dhe shkrime për çështje të zhvillimit të kësaj letërsie te ne.

Për dallim nga dy librat e përmendur, këtu përfshihen edhe disa recensione për vepra që i takojnë letërsisë për të rritur apo do të mund të thuhej edhe letërsisë për të rinj, si dhe për vepra që i përkasin shkencës e publicistikës. Në këtë kaptinë janë përfshirë edhe një shkrim për Ibrahim Rugovën, i shkuar në 16 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim, si dhe recensioni për një libër me të dhëna për fëmijërinë dhe rininë e tij.

Xhevat Syla – “Kënaqësia e leximit – autorë dhe libra”

Përveç këtyre, këtu kanë hyrë edhe shkrime për disa shkrimtarë të cilët na kanë lënë gjatë viteve të fundit, qoftë si fjalë përkujtimore, qoftë si vlerësime e kujtime për ta, të cilat më dolën edhe si obligime duke qenë për shumë vite drejtues i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” e njëherësh edhe organizator i tubimeve të ndryshme shkencore për letërsinë për fëmijë dhe i tubimeve përkujtimore për shkrimtarët. Këtu janë përfshirë edhe dy shkrime, njëri për Vehbi Kikajn dhe tjetri për Ymer Elshanin, sado që për të dytë kam të shkruara monografi. Shkrimet e përfshira këtu janë të shkurtra, të shkruara për raste dhe qëllime të tjera dhe si të tilla edhe i përfshiva në këtë libër.

Duke respektuar idenë e ObserverKult për bisedat me Pyetësorin e Prustit, këtu përfshiva edhe një bisedë timen, e cila besoj se vjen si freskuese në kuadër të shkrimeve të tjera.

Si pjesë të shkrimeve kryesisht përkujtimore për shkrimtarët, i përfshiva edhe dy shkrime të këtilla, një për vëllain tim Fazliun, i cili shkoi në amshim pas një kontributi të çmueshëm mbi 60 vjeçar në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe shkencës në Kosovë, dhe një shkrim tjetër për një mikun tim, Agim Llukën, me të cilin më lidhën punët shumë të rënda për botimin e teksteve mësimore për shkollat në Kosovë në vitet e aparteidit që ushtroi pushteti serb mbi popullin shqiptar në Kosovë.

Njëherësh, e pashë të arsyeshme që në fund, si pasthënie, të përfshijë edhe vlerësimin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu për këtë libër.

/Shqip.com