Sport Shqiptar

Kelmendi: Ndeshja më e vështirë do të jetë përballë Norvegjisë

Flaka Kelmendi - FBK

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave do të marr pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.

Ky kompeticion do të mbahet në Qipro nga 28 qershori deri më tre korrik.

Pas dy javë stërvitje intensive tashmë vashat “Dardanet” janë gati të udhëtojnë drejt Qipros.

Basketbollistja, Flaka Kelmendi, ka folur për ndeshjen që sipas saj pritet të jetë më e vështira.

“Mendoj që ndeshja më e vështirë në këtë kampionat do të jetë kundër Norvegjisë, për shkak që nuk kemi luajtur më parë kundër tyre dhe gjithashtu kanë lojtare me eksperiencë,” ka thënë Flaka për faqen zyrtare të FBK-së.

Kosova stërvitjen e fundit në Prishtinë e zhvillon të dielën nga ora 17:00, kurse të hënën udhëton drejt Nicosia të Qipros.

Ndeshjen e parë Kosova e zhvillon më 28 qershor me Maltën, pastaj më 29 qershor ballafaqohet me Andorrën.

Më 30 qershor Kosova do të zhvillojë ndeshjen e parafundit me Qipron, kurse ndeshjen e fundit e zhvillon më 2 korrik ndaj Norvegjisë.

Kombëtarja e Kosovës është formuar vetë vitin e kaluar dhe kjo është hera e dytë që merr pjesë në kompeticion.

Në vitin 2021, “Dardanet” zunë vendin e tret, duke humbur vetëm në gjysmëfinale./Shqip.com