Lajme

KEK-u u përgjigjet punëtorëve, tregon se cilat kërkesa do t’ua plotësojë

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës përmes një komunikate për media, thotë se është duke trajtuar të gjitha kërkesat e drejta dhe valide të punëtorëve.

Reagimi i tyre vjen pasi Sindikata e Re e KEK-ut protestoi të premten para zyreve të KEK-ut duke kërkuar që të plotësohen pesë kërkesat e tyre.

Ata kërkuan rrogën e 13-të për punëtorët, sigurimi shëndetësor të bëhet për një afat njëvjeçar e jo për çdo tre muaj sikurse është tashmë, që të zbatohet marrëveshja Kolektive dhe ajo Sektoriale, sigurimi i pajisjeve personale mbrojtëse për të gjithë punëtorët si dhe sigurimi i mjeteve higjienike si dhe kërkesa e fundit është që të paguhen kushtet e punës për të gjithë punëtorët e KEK-ut.

Ushtrues detyre i kryetari të Sindikatës së Re të KEK-ut, Selatin Sadiku është ankuar në bordin e KEK-ut duke thënë se nuk janë takuar me ta.

Por, këto pretendime i ka hedhur poshtë KEK-u. Sipas tyre, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, me datë 27.10.2021, brenda dy jave pas marrjes së detyrës, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për takim me Sindikatën e re të KEK (SR-KEK).

“Në këtë takim janë diskutuar të gjitha çështjet me prioritet të ngritura nga SR-KEK si çështja e mungesës së punëtorëve në KEK, moshës së lartë mesatare të tyre etj”, thuhet në komunikatë.

Foto: REL

“KE e ka marrë seriozisht këtë problem dhe së bashku Bordin dhe me Menaxhmentin e KEK-ut do të mundohen që ta adresojnë në mënyrë rrënjësore, të planifikuar e sistematike (e jo me improvizime afatshkurtra), si një nga sfidat kryesore te korporatës. Mirëpo kjo çështje është kompetencë e menaxhmentit dhe Bordit të KEK”.

“Në takimin me SR KEK, jemi pajtuar të mbajmë takime të rregullta dhe atë çdo tre muaj ku takimi i radhës është caktuar me datë 18.01.2022.

Përkundër pajtimit, vetëm një javë nga takimi i parë, SR-KEK me datë 05.11.2021, ka kërkuar takim tjetër me Menaxhmentin duke përshirë kërkesa veç se të trajtuara në takimin e mëparshëm”.

Sa i përket kërkesës për pagën e 13-të, KEK-u thotë se çfarëdo kompensimi shtesë mbi kompensimet e rregullta është vlerësim dhe kompetencë ekskluzive e Bordit të Drejtorëve.

Ky vlerësim “bëhet vetëm pas certifikimit të rezultateve financiare të Korporatës dhe nuk është pjesë e pazareve me sindikatën. Për më tepër KEK sh.a. aktualisht nuk ka Bord të Drejtorëve”.

Ndërsa, kërkesa për sigurim shëndetësor, KEK-u thotë se ishte valide dhe e drejtë sepse sipas tyre, punëtorëve iu ishte kompensuar vetëm 25% të përfitimeve të disa nga shërbimeve si ato dentare, optike etj.

“Ky problem tanimë është adresuar nga Menaxhmenti dhe nga data 01.12.2021 të gjithë të punësuarit janë të siguruar me kontratën për shërbimet e sigurimit shëndetësor me përfitime të plota një vjeçare”.

Lidhur me kërkesën për zbatimin e Marrëveshjes Kolektive, KEK-u pohon se kjo kontratë nuk është valide që nga fundi i vitit 2017, mirëpo pavarësisht kësaj, është e gatshme të japë kontributin për një Marrëveshje Kolektive Sektoriale./SHQIP.com