Lajme

KEK nuk arrin ta rikthejë në funksion B2, vazhdojnë reduktimet

Punimet në Bllokun 2 të KEK-ut.

Pavarësisht paralajmërimeve që njësia B2 e Termostatit Kosova B do të rikthehet në funksion një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për SHQIP.com ka thënë se një gjë e tillë është pritur të ndodhë sot, por që fatkeqësisht ishte e pamundur.

“B2 ka pasur me u rikthye me datën 1 shtator, por ka pasur paralajmërime se po mundohen që me u rikthye më herët, pra me 26 gusht e që fatkeqësisht nuk kanë mbërri”.

Ai shtoi se në një situatë të tillë do të vazhdojnë edhe reduktimet.

“Do të thotë që mbetët planifikimi i rregullt që ka qenë. Dje nuk ka pasur kufizime fare dhe sot ka. Ta shohim situatën se si po shkon. Sipas paralajmërimeve do të rikthehet me 1 shtator Blloku B2”.

Buzhala apelon të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.

Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike nga data 15 gusht.

Ndërkaq Qeveria e Kosovës të mërkurën ka ndarë 41 milionë euro në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

SHQIP.com ka dërguar pyetje edhe në KEK, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë ndonjë përgjigje./SHQIP.com