Lajme

KEDS: Nuk ka reduktime, ka vetëm punime të planifikuara

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka mohuar raportimet se në Kosovë mund të ketë reduktime.

Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, nga KEDS thonë se nuk ka reduktime por vetëm punime të planifikuara.

“Nuk ka reduktime. KEDS demanton lajmin e publikuar në disa nga portalet me të njohura të vendit që gjoja ka reduktime. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka reduktime askund. Ka punime të planifikuara në disa zona që bëhen për përmirësim të rrjetit elektrik  por që përfshijnë numër të kufizuar të konsumatorëve” thuhet në reagimin e KEDS.

Po ashtu nga KEDS kanë kërkuar që mediat të cilat e kanë publikuar një lajm të tillë të korrigjojnë lajmin.

Qeveria e Kosovës është në negociata me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë për të blerë dhe këmbyer rrymë.

Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë konferencës për shtyp të martën e kaluar nga Termocentrali Kosova A.

Ajo shtoi se dimri këtë vit do të jetë i vështirë dhe apeloi tek qytetarët për të kursyer energjinë elektrike.

Po ashtu Rizvanolli ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ka bërë apel për qytetarët e Kosovës që të izolojnë shtëpitë e tyre dhe të ndryshojnë sistemin e ngrohjes./Shqip.com