Ekonomi

KE thirrje shteteve anëtare: Nga 2024 ndaloni ndihmën ndaj qytetarëve për energjinë

Ilustrim

Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve të BE-së të reduktojnë shpenzimet e tyre publike për të shmangur nxitjen e mëtejshme të inflacionit, veçanërisht duke hequr gradualisht ndihmën e energjisë që u jepet familjeve.

Ndërsa çmimet e energjisë në tregjet me shumicë janë rikthyer në nivelet e para vitit 2022 pas rritjes spirale pas agresionit rus në Ukrainë, inflacioni bazë për rritjen e çmimeve në sektorin energjetik dhe produkteve ushqimore, ka qenë më i lartë se sa pritej.

“Ndërsa inflacioni total vazhdon të bjerë, inflacioni bazë po rezulton më i qëndrueshëm”, tha Valdis Dombrovskis, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Evropian.

Në mars 2023 inflacioni bazë arriti një nivel rekord prej 7.6%, ndërsa KE shprehet se për të trajtuar rritjen e përgjithshme të çmimeve nuk është e mjaftueshme të mbështetet vetëm tek Banka Qendrore Evropiane, e cila ka reaguar duke rritur normat e interesit për të ulur aktivitetin e investimeve.

“Politika fiskale nuk duhet të kundërshtojë politikën monetare. Prandaj, ne po bëjmë thirrje për një qëndrim më të kujdesshëm fiskal të shteteve anëtare”, shtoi Dombrovskis, raporton Euractiv.

Reduktimi i shpenzimeve publike duhet të ndodhë kryesisht duke hequr gradualisht masat e ndihmës energjetike të marra nga vendet e BE-së për të mbrojtur qytetarët e tyre nga rritja e çmimeve të energjisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

“Si hap i parë, kjo do të thotë që shtetet anëtare duhet të mbyllin masat mbështetëse në lidhje me goditjen e çmimit të energjisë dhe këto kursime duhet të përdoren për reduktimin e deficiteve, jo për më shumë shpenzime,” tha Dombrovskis.

Ajo që nuk duhet të shkurtohet, tha Komisioni Europian, janë investimet publike, të cilat Komisioni i sheh si të nevojshme pasi Evropa dëshiron të arrijë neutralitetin klimatik dhe të përmirësojë konkurrencën e saj.

/Shqip.com