Lajme

KE-ja pret që liberalizimi të bëhet edhe për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Komisioni Evropian (KE)
Komisioni Evropian (KE)

Komisioni Evropian akoma pret që shtetet anëtare të miratojnë propozimin e këtij institucioni që edhe serbëve të Kosovës me pasaporta të Serbisë t’u mundësohet udhëtimi pa viza.

Më 16 nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian kishte propozuar që qytetarët e Kosovës të pajisur me pasaporta të Serbisë të përfshihen në regjimin e lëvizjes pa viza.

Sipas zëdhënëses së Komsionit Evropian për çështje të brendshme Anitta Hipper, pasi që të miratohet ky propozim dhe i njëjti të hyjë në fuqi, atëherë të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perendimor do të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Serbët e Kosovës (ata që nuk janë të pajisur me pasaporta të Kosovës) janë të vetmit qytetarë të rajonit që nuk gëzojnë akoma lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Zëdhënësja Anitta Hipper konsideron se banorët serb në Kosovë, po ashtu mund të zgjedhin të aplikojnë për pasaporta biometrike të Kosovës, për të udhëtuar pa viza nga 1 janari i vitit 2024. 

Kur ishin liberalizuar vizat për Serbinë, qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe, ishin përjashtuar nga ky vendim. Njëjtë ndodhi edhe me rastin e heqjes së vizave për Kosovën, ku vendimi përfshinte vetëm bartësit e pasaportave biometrike te Republikës së Kosovës.

Pas propozimit të miratuar nga Komisioni Evropian, me këtë çështje tash merret Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian. E tërë procedura merr kohë, ndërsa shpresohet se propozimi do të miratohet pas procesit të përbashkët ndërinstitucional.

Kundër këtij propozimi ishte deklaruar qeveria e Kosovës. Në argumentimin e saj dërguar selisë së Bashkimit Evropian, ekzekutivi kosovar konsideron se ky propozim pengon integrimin e komunitetit të serbëve të Kosovës dhe legjitimon strukturat paralele ilegale të Serbisë në Kosovë, shuarja e të cilave është kërkuar nga BE-ja. /RTK

/Shqip.com