Lajme

KDI: Qeveria përmes koeficientit cenon pavarësinë e gjyqësorit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar në lidhje me koeficientin e pagave. Sipas kësaj organizate joqeveritare ky koeficient ulë pagat dhe cenon pavarësinë e gjyqësorit.

KDI ka vlerësuar se se kjo vlerë e koeficientit prej 105 euro nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtorëve të sektorit publik.

“Për më tepër e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Kjo vlerë e koeficientit e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25 %. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro ndërkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

KDI po ashtu reagoi edhe për këshillin gjyqësor, anëtarëve të së cilit iu janë ulur pagat.

“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19. Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet ndër tjerash në reagim.

/Shqip.com