Lajme

KDI: Pa mobilizim të përgjithshëm, nuk ka luftë kundër korrupsionit

Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ka njoftuar se edhe këtë vit ka monitoruar procesin e prokurimit publik, me fokus në sektorin e shëndetësisë.

Kjo për shkak të pandemisë COVID-19, me ç’rast KDI njofton se ka vazhduar me monitorim për të siguruar që blerjet dhe shërbimet gjatë emergjencës shëndetësore të jenë transparente, në përputhje me ekonominë e tregut të lirë dhe konform nevojave të qytetarëve.

Sipas komunikatës për media, KDI ka vazhduar me ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e korrupsionit, dëshmitarët dhe sinjalizuesit e veprave korruptive.

Nga ky institut thonë se shumë punëtorë të cilët kishin humbur vendet e punës gjatë pandemisë apo nuk kishin realizuar të drejtën e pagesës nga pakoja emergjente kanë kërkuar ndihmë ligjore.

Instituti Demokratik i Kosovës

“Në këtë ditë përshëndesim miratimin e Strategjisë për sundimin e ligjit 2021 – 2026, pjesë e së cilës është edhe lufta kundër korrupsionit, por përsërisim shqetësimin tonë për mungesën e një Strategjie Kombëtare Kundër-Korrupsion, nga e cila do të dilnin veprime dhe përgjegjësi konkrete për të gjitha institucionet e thirrura për të luftuar korrupsionin”.

Institucioneve u kërkojnë që të mos fajësojnë njëra-tjetrën për “mungesë të të sundimit të ligjit” dhe “nivelin e lartë të korrupsionit”, por të bëhen bashkë kundër korrupsionit.

Ndërsa, qytetarëve u bëjnë thirrje të jenë më kërkues për rezultate dhe të mos heshtin ndaj keqpërdorimeve, nepotizmit dhe keqmenaxhimit të resurseve publike.

“Qeverisë i themi t’i procedojë të gjithë pakon e ligjeve kundër-korrupsion dhe ta bëjë qytetarin hisedarë të këtyre ligjeve. Kuvendit i kërkojmë ta ketë prioritet mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve kundërkorrupsion”.

Subjekteve politike u kërkojnë të jenë transparente dhe llogaridhënëse në raport me financimin dhe shpenzimet e tyre.

Pasi sipas KDI-së, vetëm duke “përqafuar” vlerat e qeverisjes së mirë brenda subjektit, mund të ndërrohet kultura qeverisëse.

“Institucioneve të drejtësisë u kërkojmë që të ngrisin efikasitetin e punës dhe cilësinë e shërbime sepse vetëm duke rezultatet e kthejnë besimin në institucione”./SHQIP.com