Lajme

KDI: Nga 38 komuna, Skenderaj me qeverisjen më transparente 

Fadil Nura, kryetar i Skenderajt
Fadil Nura, kryetar i Skenderajt

Në mesin e 38 komunave në vend, Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar Skenderajn me 92 pikë për transparencës në qeverisjen komunale, për vitin 2022.

“Ju falënderojmë për bashkëpunimin, ky është një motivim shtesë që ne me vazhdu edhe më tutje. Falënderoj stafin që kanë punua shpeshherë edhe natën. Këtë çmim, këtë trofe, do të doja t’ua dedikoja themeluesve të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

E në vendin e dytë u radhit edhe komuna e Lipjanit, në të cilën, sipas të parit të saj, transparenca është vlerë e demokracisë.

“Transparenca është ndër vlerat kryesore të demokracisë dhe mostransparenca. Do të kemi probleme si shoqëri. Duhet akoma shumë punë pushteteve lokale për të rritë kapacitetet në të gjitha fushat”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

Në përgjithësi, sipas përfaqësuesve të KDI-së komunat kanë rritur transparencën për qytetarët në 2022-ën për 12 për qind në krahasim me vitin 2021.

“Transparenca e përgjithshme në këta 87 indikatorë dhe 8 shtylla të politikave të qeverisjes lokale, në vitin 2022, është 68 për qind. Kemi 12 për qind mesatarisht rritje prej matjeve të vitit 2021, që nënkupton një vullnet të mirë për komunat për të rritur transparencën dhe llogaridhënien kundrejt qytetarëve të tyre. Shohim se kemi një rritje prej 20 për qind në sektorin e prokurimit publik, vetëm 2 për qind rritje në shtyllën e transparencës buxhetore”, Diana Metushi nga KDI, raporton atvlive.

Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia tha se për dallim nga Kosova në 100 komunat e Sllovakisë, që nga 2010 nuk kanë pasur progres të madh në transparencë.

“Synimi ynë është që ta zvogëlojmë korrupsionin, duke e rritur transparencën në përfshirjen e qytetarëve dhe duke fuqizuar proceset dhe zvogëlimin e burokracive të shumta. Që nga viti 2010, për çdo dy vjet publikojmë renditjen e 100 komunave më të mëdha në Sllovaki dhe këtë e bëjmë duke vlerësuar në më shumë se 109 indikatorë. Transparenca që nga fillimi e deri më tani është rritur për 23 për qind”, theksoi ajo.

Ndërkaq, komunat veriore, si Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku dhe Zveçani, në këtë prezantim u listuan në fund me vetëm nga 9 pikë.

/Shqip.com