Kazinotë e Karaçevës barten në Breznicë të Serbisë
Ka muaj prej se policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë shikojnë nga largësia një aktivitet që zhvillohet në zonën neutrale në vijën kufitare Kamenicë – Bujanoc.
Së paku shtatë biznese që organizojnë lojëra të fatit, janë ndërtuar në 12 muajt e fundit në atë që njihet si territor neutral në mes të dy fshatrave – Karaçevës në anën e Kosovës dhe Breznicës në anën e Serbisë.
Sipas banorëve të zonës dhe zyrtarëve të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Bujanocit, këto objekte të lojërave të fatit janë ndërtuar në zonë neutrale, pasi qytetarët e Kosovës mund t’i frekuentojnë ato pa pasur nevojë të kalojnë nëpër procedura kufitare.
Crystal, Kometa, Flamingo, Las Vegas Casino, Star Club, Wild Casino, Casino Colosseum janë vetëm disa nga emrat e këtyre bizneseve.
Në to mund të luhet bixhoz, rulet, poker dhe mund të hidhen baste sportive.
Më 4 shtator, derisa Radio Evropa e Lirë ishte e pranishme në zonë, u panë vetura të ndryshme para këtyre objekteve, ani pse policia e Kosovës ishte e vendosur rreth 1.5 kilometra larg, në kodrën mbi fshatin Novoselë, ndërsa policia e Serbisë qëndronte rreth 350 metra distancë ajrore, në pikën statike në hyrje të fshatit Breznicë, në anën e Serbisë.
Veturat që shiheshin derisa hynin e largoheshin pa u penguar nga këto objekte, ishin kryesisht me targa “RKS” – Republika e Kosovës.
Prania, siç thuhet, e madhe e njerëzve që frekuentojnë këto lojëra të fatit, paraqet shqetësim për banorët si në anën e Kosovës, ashtu edhe atë të Serbisë.
Një banor i zonës kufitare që jeton në anën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa ku janë ndërtuar objektet e këtyre lojërave, është bërë e rrezikshme për t’u kaluar.
Ai kërkoi t’i fshihet identiteti, pasi, siç u shpreh, ka shumë familjarë në fshatrat e Bujanocit dhe ka frikë se mund të përballen me probleme nga pronarët e lojërave të fatit.
“Është shumë rrezik. Ka njerëz të rrezikshëm aty. Të gjithë [pronarët] janë nga Kosova, përveç njërit që është serb, që ka lidhje me shtetin [e Serbisë]”, thotë ky banor, por pa dhënë detaje se ku i bazon këto informacione.
Në Komunën e Kamenicës thonë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa për ndalimin e punës së këtyre kazinove.
“Është shqetësim për Komunën e Kamenicës, për shkak se ato veprojnë në afërsi të komunës sonë, sepse janë në zonën neutrale. Kjo është një veprimtari që është e ndaluar me ligj te ne dhe kemi ankesa të vazhdueshme të qytetarëve të kësaj ane”, thotë Lidiona Marovca, zëdhënëse e Komunës së Kamenicës, për Radion Evropa e Lirë.
Organizimi i lojërave të fatit në territorin e Kosovës është ndaluar me ligj nga marsi i vitit 2019.
Në Serbi, organizmi i lojërave të fatit lejohet dhe bizneset që e ushtrojnë këtë aktivitet, licencohen në Ministrinë e Financave, pranë Autoritetit të Lojërave.
/Shqip.com