Kulturë Kino

Kauzaliteti brenda natës në lokalin e Prishtinës, vjen përmes filmit  “Four Pills at Night”

“Four Pills at Night”

Në jetë nuk ka asgjë absolute, gjithçka pos vdekjes është relative.

Por, çka kur gjërat ndryshojnë brenda natës? E kur bie ndesh me realitetin? Më pas, kur ankthi kaplon mendjen e gjithçka e kthjellët shndërrohet në mjegullinë?

Pikërisht këtë përplasje mori personazhi i filmit kosovar “Four Pills at Night”.

“Ngjarja e filmit ndodh në një klub të natës diku në periferi të kryeqytetit. Dy studentë, njëri aktor tjetri regjisor bëhen bashkë për të bërë filmin e diplomës. Pas shumë kohësh pa u parë me njëri-tjetrin për shkak të distancës që ata jetojnë, si pikë takim e kanë këtë party. Gjatë natës, ky takim merr një kthesë të papritur dhe e gjithë nata shndërrohet në delusion dhe ankth për Valin (regjisorin).”, shpjegon regjisori Leart Rama për Shqip.com.

Regjisori 24 vjeçar tregon se gjatë karrierës së tij në kinematografi, gjithmonë ka realizuar filma që prekin një fazë të jetës sidomos atë të rinisë.

“Edhe ky film është bërë në të njëjtën formë dhe si arsye te fortë se pse e kemi realizuar këtë film është dokumentimi dhe tregimi i një ane tjetër të rinisë në Kosovë, që nuk është shfaqur më përpara në ekranet e kinemave si një film apo një storie e ngjashme nga Kosova”.

“Four Pills at Night” është realizuar gjatë vitit 2021 dhe u shfaq edhe në festivale të filmit në botë, për të cilat Rama tha se është pritur mjaft mirë e që nuk ka munguar as përkrahja nga audienca lokale e ndërkombëtare.

“Premierën botërore e kishte në festivalin prestigjioz “Locarno Film Festival” i kualifikuar për nominim në 4 çmime. Disa ditë pas premierës botërore, kishim kënaqësi si shfaqje speciale ta bëjmë premierën kombëtare ne Dokufest”, tha ai.

Por, për “Four Pills at Night” rrugëtimi në kinematë botërore veçse ka filluar.

Premierën e radhës do ta ketë në Brussels Film Festival, ku nga pothuajse 4000 filma që konkurruan është përzgjedhur për të garuar në International Competition.

Rama, suksesin e filmit e bazon në “sinqeritetin” e tematikës.

“Një storie e treguar me sinqeritet dhe e punuar me mjeshtëri nga secili anëtar i ekipit arrin tek audienca si një krijim i pastër ku vetë audienca  e krijon mesazhin e vet nga filmi dhe eksperiencat e tyre personale”, thotë ai.

Filmi që në çdo minutë shfaq emocionet dhe fazat me të cilat përballet një qenie njerëzore, e që tregon një histori dashurie në fund të tradhtuar është prodhim i Katarze films dhe u financua nga Festivali i Filmit Winterthur, Dokufest dhe Komuna e Prishtinës./SHQIP.com