Lajme Ballkan

Katër vjet nga vrasja e Ivanoviqit, kushëriri: Dikush i fortë në Serbi po i fsheh pamjet e kamerave

Oliver Ivanoviq.

Aleksandar Ivanoviq, kushëriri i politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, i cili u vra në Mitrovicën Veriore tha se dikush i fuqishëm në Serbi po i mban të fshehura pamjet e kamerave të sigurisë, transmeton Shqip.com.

Ai thotë se në ato regjistrime të kamerave të sigurisë shihen lëvizjet e njerëzve që e “përcollën dhe e vranë politikanin”, shkruan Danas.

“Në Mitrovicë të Veriut ka me dhjetëra e dhjetëra kamera të sigurisë. Të gjitha janë në objekte me pronarë serbë dhe ato kanë regjistruar lëvizjet në ditët para dhe në ditën tragjike. Atëherë shtrohet pyetja se pse këto flimime nuk po dalin, pse njerëzit tanë nuk po i zbulojnë nëse pretendojnë se Oliverin e kanë vrarë shqiptarët.

Është edhe më shqetësues fakti kur e dimë se anëtarët e Policisë së Kosovës në atë zonë janë kryesisht serbë. Kështu që shtrohet pyetja se kush është aq i fuqishëm për të kontrolluar që këto incizime të mos shfaqen”, tha ai.

Sipas tij, para vrasjes ka pasur edhe disa sulme fizike ndaj familjes dhe pronës së tij në Mitrovicën e Veriut.

“Oliverit ia hodhën bombën dhe ia çuan në erë veturën, ia dogjën zyrën e partisë, një serb hyri me forcë në banesën e tij derisa ai nuk ishte aty dhe ia la një mesazh kërcënues që të mos kandidojë.

Pasi kandidoi, pas zgjedhjeve prapë ia dogjën veturën. Asgjë nuk e ndali atë. Dhe për këtë, dikush mendoi se duhet ndalur me plumb. E qëlluan prapa shpinës”, tha Aleksandar Ivanoviq.

Ndërkaq, para vrasjes së tij, në “TV Pink” ishte shfaqur reklama ku paralajmërohej vrasja siç ishte quajtur e “tradhtarit Ivanoviq”, për të cilën Aleksandar thotë se në një “shtet normal do të duhej të merreshin organet me këtë”.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq, është vrarë më 16 janar të vitit 2018 para zyrës së tij në Mitrovicë, teksa për këtë Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj: Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq , Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët janë duke u gjykuar dhe tre të akuzuarit e tjerë, Zvonko Veselinoviq, Milan Radoiçiq dhe Zheljko Bojiq janë në arrati.