Katër vërejtjet e Hotit për Qeverinë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka renditur disa vërejtje ndaj Qeverisë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Hoti, përmes një postimi na Facebook, tha se pagat nuk u rritën në vitin më inflacionin më të lartë në 15 vjetët e fundit.
“Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak”, ka shkruar Hoti.
Tutje, ai tha se ligji i pagave në sektorin publik më shumë krijoi probleme se që zgjidhi.
“Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyer miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për tu buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese”, tha ndër të tjera ai.
Kurse, si vërejtje të tretë, ai ka tha se ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti dhe se nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj, sipas tij, përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet.
Ndërsa, të fundit vërejtje ai e vuri dyfishimin e tatimit në pronë si dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia”, ka shkruar Hoti.
/Shqip.com