Sport Shqiptar Analistit, Avni Bytyçi, për Shqip.com shpreh shqetësimet se nëse fusha nuk arrin të mirëmbahet mjaftueshëm mund të ndikojë edhe në lëndimet e lojtarëve.

Katër skuadra kosovare në Evropë, shfaqen probleme në mirëmbajtjen e “Fadil Vokrrit”

Stadiumi "Fadil Vokrri"

Garat evropiane për skuadrat kosovare janë në horizont.

Për herë të parë nga Kosova do të marrin pjesë katër skuadra në tri kompeticione, por kjo ka sjellë probleme të reja.

Ballkani si kampion i Kosovës do të luajë në Ligën e Kampionëve, Drita garon në Ligën e Evropës, kurse Gjilani dhe Llapi konkurrojnë në Conference League.

Problemi kryesor është shfaqur në mirëmbajtjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin brenda nëntë ditëve do të zhvillohen katër ndeshjet.

Analistit, Avni Bytyçi, për Shqip.com shpreh shqetësimet se nëse fusha nuk arrin të mirëmbahet mjaftueshëm mund të ndikojë edhe në lëndimet e lojtarëve.

“Duhet me qenë i shqetësuar si sportist, pasi që edhe volumi i ndeshjeve dhe koha e bënë të pamundshme të mbahet në kushte optimale që kërkohet. Por, situata mund të menaxhohet, pasi ka punëtor që merren me mirëmbajtjen e saj, por prapë duhet të jetë shqetësuese. Nëse, fusha nuk është në kushte optimale atëherë edhe mundësit për lëndime janë më të mëdha”, tha ai.

Stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë

Rritja e skuadrave në garat evropiane ka paraqitur nevojën për stadiume shtesë të licencuara.

Ish-futbollisti, Liridon Leci, thotë se Kosovës i duhen edhe dy ose tri stadiume tjera për këto gara.

“Normalisht në futboll nuk duhet të ndodh që brenda disa ditëve të luhen tri ndeshje, por nuk kemi mundësi tjera  dhe nuk mund t’i luajmë ndeshjet në vendet e tjera, duhet të luhen në “Fadil Vokrri”. Nuk mendoj që kjo do të ndikojë në performancën e futbollistëve, por duhet që vitet e ardhshme të kemi të paktën dy stadiume, sepse ne tashmë çdo herë jemi pjesëmarrës në UEFA dhe FIFA. Duhet që të kemi të paktën dy – tre stadiume”, tha ai.

Ballkani do të këtë ndeshjen e parë më pesë korrik kundër Zalgiris, derisa vetëm dy ditë më vonë, Gjilani përballet me Liepajan.

Drita më 12 korrik e luan ndeshjen e kthimit në “Fadil Vokrri” përballë, Inter Turkut dhe Llapi më 14 të po të njëjtit muaj luan me Buducnost Podgorica./Shqip.com