Lajme

Katër raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit

Foto ilustruese

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur katër raste të dhunës në familje.

Dy nga këto raste të raportuara kanë qenë në rajonin e Prizrenit dhe nga një në Pejë dhe Lipjan.

Në Prizren në të dyja rastet janë arrestuar dy burra, për dhunën fizike të ushtruar ndaj dy grave të cilat kanë marrë edhe tretman mjekësor pas dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Ndërkaq në Lipjan, i dyshuari burrë është arrestuar për dhunën psikike të ushtruar ndaj viktimës grua.

Gjithashtu edhe në Pejë, i arrestuari për dhunë në familje dhe dëmtim të pasurisë është burrë.

Theksojmë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ditë më parë rreth shtimit të dhunës në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

“Kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo është shprehur e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve.

“Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka thënë se nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, çfarë ndodh prapa dyerve të mbyllura./Shqip.com