Lajme

Katër komunat veriore akoma “funksionojnë” pa noterë

Veriu i Kosovës / Ilustrim
Veriu i Kosovës / Ilustrim

Asnjë nga komunat veriore të Kosovës nuk kanë noter, prandaj të gjithë qytetarët, shqiptarë e serbë po drejtohen tek dy noteret që gjenden në Mitrovicën e Jugut. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar nëse planifikon të bëjë zgjidhje për këtë çështje.

Qytetarë të pesë komunave i drejtohen vetëm dy zyrave. Kjo sepse Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani e Mitrovica e Veriut nuk kanë noter të tyre.

Një banor i Zubin Potokut po thotë që për këtë arsye ata janë të kufizuar. Andaj edhe po detyrohen që për këtë shërbim të udhëtojnë në Mitrovicën Jugore.

“Komuna jonë këtu nuk ka noter edhe ne në Çabër jemi të kufizuar në kryerjen e disa punëve. Por, punën e noterit e kryejmë në Mitrovicë jugore. Është e rëndësishme sepse neve po na duhet me shku prej këtu atje. Madje ndodhë që na bie me pritë për shumë kohë sepse ka radhë të gjata”, ka deklaruar Enver Hasani – qytetar i Zubin Potokut.

Pos qytetarëve shqiptarë të këtyre komunave, ka mjaft edhe qytetarë serbë që kërkojnë shërbime në jug.

Njëri nga dy noterët, Kabil Merovci tregoi edhe shërbimet që ata kërkojnë.

“Ne të dy noterët në Mitrovicë i mbulojmë pesë komuna. Çdo ditë neve kemi kërkesa edhe prej palëve të pjesës veriore pavarësisht nacionalitetit të tyre. Qytetarët nga komuniteti serb ka raste kur kërkojnë shërbime për shit-blerje të pronave, një prej rasteve më të rralla pasi që në anën veriore nuk funksionojnë zyrat kadastrale e më të shpeshta janë shërbimet për vetura dhe regjistrimi i  fëmijëve nëpër komuna”, ka theksuar Kabil Merovci – noter, Mitrovicë e Jugut.

E me sa duket për këtë është duke ardhur një zgjidhje.

Ministria e Drejtësisë i ka treguar televizionit që janë duke planifikuar që të hapet konkursi për noterë.

“Ministria e Drejtësisë ka emëruar komisionin për dhënien e provimit për noter i cili është në fazën finale të përgatitjes për shpalljen e afatit për aplikim për provim. Po ashtu Ministria e Drejtësisë inkurajon të gjitha komunitetet pa dallim të aplikojnë për provimin për noterinë”, thuhet Ministria e Drejtësisë.

Pikërisht çështja e mungesës së noterëve në komunat veriore është ngritur si shqetësim vazhdimisht nga qytetarët dhe shoqëria civile ne këtë pjesë. /Dukagjini

/Shqip.com