Lajme

Kastrati: Ka disa sfida në regjistrimin e komunitetit serb në disa pjesë, por jo në të gjithë Kosovën

Kjo fotografi e bërë më 5 prill 2024, tregon një fletëpalosje me informacionet për procesin e regjistrimit të popullsisë para një shtëpie me dyer të mbyllura.
Kjo fotografi e bërë më 5 prill 2024, tregon një fletëpalosje me informacionet për procesin e regjistrimit të popullsisë para një shtëpie me dyer të mbyllura.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se kanë disa sfida në regjistrimin e komunitetit serb në disa pjesë, por jo në të gjithë Kosovën.

“Aktualisht kemi disa sfida në regjistrimin e komunitetit serb, në disa pjesë jo në të gjithë Kosovën. Presim që këto ditë edhe ato sfida të tejkalohen. Përndryshe ne me kolegë, dje ishim në pjesën veriore dhe supozohet që në ditët në vijim edhe ata të angazhohen në regjistrim.”

Ai tha se ka filluar faza e grumbullimit të të dhënave në terren.

“Kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pasjisjet janë adekuate dhe shumë funksionale, dmth kemi kaluar një pengesë teknike, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar, sepse ka qenë sfidë nëse do të funksionojë i gjithë sistemi, s’kemi pasur telashe. Po ashtu është zhvilluar një sistem i monitorimit”, tha ai.

Kastrati tha se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë.

“Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë sepse e kemi paralajmëruar disa herë disa ditë ka nevojë që regjistruesi të njoftohet me zonën, ka pasur për detyrë të shpërndajë disa materiale informuese dhe një letër kontaktuese. Prej tani do të zhvillohen intervistat e plota sipas planit dhe rekomandimeve që i kena dhënë për regjistruesit.”

“Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim, pa anashkaluar asnjë komunitet dhe shpresojmë që kështu do të vazhdojmë deri në fund të procesit të regjistrimit. Për njoftim tuajin ne kemi edhe institucione tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit. Regjistrimi është duke shkuar sipas planit që e kena paraparë deri tani”, tha Kastrati.

Ai tha se janë takuar me përfaqësues serbë dhe se ka gatishmëri te ta për t’u regjistruar.

“Jemi takuar me përfaqësuesit të komunitetit serb, por jo nga Lista Serbe dhe ka një gatishmëri edhe te popullsia vet serbe për me u regjistru, kanë kërku disa ditë afat me u trajnu, që ne jemi dakord sepse në krahasim me 2011 dy javë, është 6 javë, nuk paraqet sfida me grumbullu të dhëna. Shpresojmë që ata do të jenë në terren për me i grumbullu të dhënat, por ka një deklarim publik të Listës Serbe dhe ka një thirrje publike që vet popullsia është si sfidë edhe për ata vetë, por ne presim që ditët në vijim do t’i grumbullojmë të dhënat edhe për atë pjesë”.

/Shqip.com