Lajme

Kaq miliona para qarkulloi Vlora gjatë sezonit turistik

Vlora

Tashmë nuk ka më asnjë mëdyshje që sezoni veror i këtij viti për rrethin e Vlorës ka qenë mjaft i mbarë jo vetëm nga numri i frekuentimit të turistëve kryesisht të huaj, por edhe nga të dhënat financiare.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Tatimeve flet për qindra milionë euro që janë qarkulluar në Vlorë gjatë muajve të sezonit.

Sic raporton Oranews.al, kjo ka sjellë edhe rritje të numrit të personave të punësuar por njëkohësisht edhe rritje të pagës, që është reflektuar edhe në rritje të pagesave.

Gjatë sezonit veror numri i të punësuarve shkoi në 27 mijë persona, ndërsa u aktivizuan rreth 1000 subjekte me aktivitet sezonal, nga të cilat 280 ishin subjekte të reja të çelura gjatë këtij viti.

Vlora dhe jugu i Shqipërisë tërheq jo vetëm pushuesit të cilët e kanë vizituar më parë Shqipërinë por dhe pushues të rinj.

Arsyet janë çmimet e arsyeshme dhe bukuritë natyrore. Mes pushuesve me kampera gjejmë pushues të cilët prej vitesh vijnë në Shqipëri, por dhe pushues të cilët  pavarësisht komenteve negative kanë guxuar ta eksplorojnë dhe shijojnë Shqipërinë me syrin e tyre.

 “Unë jam Markes dhe hoqa dorë nga puna për të shijuar jugun e Evropes, dhe ndodhem me familjen time në Shqipëri dhe është një nga ndalesat që kishim planifikuar. Na pëlqen natyra dhe të eksploroj gjëra të reja”.

“Emri im është  Xherald vi nga jugu i Irlandes. Pas covid dhe dy vitesh i mbyllur në shtëpi vendosa të provoj këto lloj pushimesh. Miqtë e mi më penguan të vija, pasi sipas tyre Shqipëria nuk është vend i sigurt, por unë vendosa ta shikoj këtë me syrin tim dhe ja ku jam. Prej dy javësh ndodhem këtu dhe më pëlqen shumë. Çmime të lira krahasuar me Kroacinë. Jemi bërë si një familje  dhe shijojmë çdo mbrëmje ushqim, pije dhe krijomë kontakte të reja”.

Qyteti i Vlorës dhe shtrirja gjeografike e saj ofron shume mundësi për çdo lloj pushimesh në çdo sezon./SHQIP.com