Sport Shqiptar

Kapiteni që i dha gjithçka Kosovës rrëfehet për Shqip.com

Anel Rashkaj tash e disa ditë ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës si futbollist.

33-vjeçari e ka udhëhequr Kosovën si kapiten në fushë në miqësoret që mezi siguroheshin e po ashtu në miqësoret zyrtare, pasi FIFA dha leje që Kosova të luante të tilla.

Këto miqësore zhvilloheshin para pranimit të FFK-së në UEFA e FIFA.

Rashkaj ka luajtur si mesfushor derisa si futbollist ka bërë karrierë për 16-vjet.

Kosovës iu bashkua në vitin 2009, në periudhë shumë të vështirë.

 Me Haitin, më 5 mars 2014 me Kosovën e luajti miqësoren e parë zyrtare.

Ai është rrëfyer në një intervistë për Shqip.com.

“Kam vendosur të largohem nga fusha e gjelbër për t’iu përkushtuar karrierës si trajner. Në karrierën time më së miri kam kaluar te skuadra e Halmstadit në Suedi”, tha Anel Rashkaj për Shqip.com.

Pikërisht në Halmstad do ta nis karrierën si trajner me grupmosha të reja.

“Synimet janë që të arrijë sa më lart si trajner. Te ky ekip ka shumë lojtarë shqiptarë. Në grupmoshat U15, U16, dhe U17 janë diku 10 futbollistë shqiptarë”, theksoi Rashkaj.

Aneli ishte larguar nga Prizreni si 14-vjeçar dhe ishte vendosur në Suedi.

Klubit Halmstad iu bashkua në vitin 2003 dhe te ky klub arriti deri në nivelin senior. Ka luajtur te Halmstadi deri në vitin 2011.

Më pas ishte te Sandnesi në Norvegji deri në vitin 2016, te AFC Eskilstuna në Suedi (dy periudha), te SJK në Finlandë në vitin 2020, ndërsa në dy vjetët e kaluar ishte tek Oergryte në kategorinë e dytë suedeze.

Në vitin 2017 e kishte një periudhë të shkurtër dhe jo të lavdishme te Prishtina.

Rashkaj foli edhe për momentin më të mirë në karrierë dhe më të keq.

“Sigurisht se momenti më i mirë në karrierë është veshja e fanellës së Kosovës. Momenti më i keq është eliminimi nga Maqedonia e Veriut”, pohoi ai.

Për fund, Rashkaj e zbuloi edhe merakun e karrierës.

“Ndoshta fakti që nuk më është dhënë mundësia që të aktivizohem në ndonjë skuadër më të madhe evropiane”, përfundoi Anel Rashkaj.

/Shqip.com