Sport Ndërkombëtar

“Kapiteni e merr timonin e anijes – për ta shpëtuar nga fundosja”

Xavi Hernandez

Në “Camp Nou” ekipet kundërshtare po “dëfrehen” dhe Barcelona nuk është më e frikshme për kundërshtarët, por një dritë po shihet në fund të tunelit.

Në këtë “anije” që është afër “fundosjes”, është rikthyer, kapiteni i vjetër, Xavi Hernandez, shkruan Shqip.com.

Ish-mesfushori i katalunasve, ka arritur marrëveshje, për tu rikthyer si trajner, aty ku fitoi gjithçka si futbollist.

Lajmin e ka bërë të ditur, ekipi që ai drejton në Katar, Al Sadd, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Administrata  e Al Sadd ka rënë dakord për kalimin e Xavi-t në Barcelonë, pas pagesës së klauzolës së lirimit të përcaktuar në kontratë”, është shkruar ndër të tjera, në këtë njoftim.

Ndërsa, ekipi spanjoll ende nuk e ka zyrtarizuar në rrjetet e tyre zyrtare, pasi që duket se ende nuk ka përfunduar ana teknike.

41 vjeçarin e presin sfida të mëdha me katalunasit, pasi forma në të cilën po kalojnë, është larg prej asaj – që ai e la skuadrën në vitin 2015.

Barcelona gjendet në vendin e dhjetë në La Liga, ndërsa, në Ligën e Kampionëve është e dyta në Grupin E, ku ende nuk e siguruar kualifikimin tutje./Shqip.com