Lajme

Kapet sasi e madhe tritoli C4 në Tiranë, 6 në pranga, zbardhet sulmi me eksploziv ndaj noteres Dauti

Një grup kriminal që kishte si specialitet trafikun e armëve, municioneve dhe tritolit është goditur nga policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë e kryeqytetit.

Gjatë hetimeve të kryera për këtë linjë trafiku është zbardhur dhe një ngjarje kriminale e ndodhur në Tiranë, ku i është vendosur tritol noteres Esmeralda Dauti. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy persona.

Krimi i rëndë ka ndodhur 5 ditë më parë. Ndërkohë mësohet se armë të llojeve të ndryshme transportoheshin nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, duke u shitur me çmime të ndryshme që varionin nga 1 deri në 5 mijë euro.

Mësohet se në total janë arrestuar 6 persona, ku dy prej tyre ndodheshin në burg për vepra të tjera penale dhe se arresti i tyre është ekzekutuar në ambientet e burgut.

Mes personave të arrestuar ka dhe shtetas nga Kosova.

Ndërsa 4 të tjerë janë arrestuar mbrëmjen e djeshme për akuzën e “Trafikimit të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

Gjatë aksionit policia e Tiranës ka sekuestruar disa armë. Ndërsa në një bazë të grupit është sekuestruar një sasi e madhe me kallëpë tritoli.

Tritoli dhe armët hynin në Shqipëri nga Kosova dhe shiteshin në tregun e brendshëm me çmime të ndryshme. Tritoli u shitej anëtarëve të grupeve kriminale në disa qytete të vendit.

Pritet që në vijim policia e Tiranës të zhvillojë një konferencë për shtyp për të dhënë detaje konkrete nga ky operacion,mënyrën e organizimit dhe emrat e personave të arrestuar.

/Shqip.com