Lajme Ballkan

Kapet naftë ruse pa leje, policia ndalon anijen me 22 mijë ton në Portin e Durrësit

Një anije çisternë me 22.500 ton naftë është sekuestruar nga policia në Durrës, e cila bllokoi dhe ekuipazhin e saj prej 22 personash.

Nisur nga një informacion i inteligjencës policore u organizua operacioni “Embargo” nga i cili rezultoi se nafta ishte porositur nga kompania “AV International Group” me pronar Piro Baren dhe se nuk kishte certifikatën e origjinës së mallit.

Menjëherë nisën hetimet që çuan në dyshimin e arsyeshëm se nafta vjen nga vendet me embargo dhe konkretisht nga Rusia.

Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë ruse në ujërat greke, pranë portit të Kallamatës, nga një anije tjetër. Një praktikë kjo e njohur kohët e fundit në Greqi për të cilën ky vend është kritikuar shpesh nga BE për thyerjen e embargos me Rusinë.

Aktualisht, anija e sekuestruar “Grace Felix”, me flamur të Liberisë, ndodhet 5 milje larg nga bregu i Durrësit dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, qofshin ata persona fizikë apo juridikë, raporton TopChanel.

/Shqip.com