Lajme

Kapet banda shqiptare që kontrabandonte njerëz nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar

Emigrantët vijnë në pjesë të ndryshme të Spanjës, duke përfshirë portin Arguineguin ku shumë ndihmohen nga Kryqi i Kuq

Një bandë shqiptare e cila kontrabandonte njerëz nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar është kapur.

Siç raporton BBC, janë dashur një punë më shumë së një vjeçare për të identifikuar udhëheqësit e rrjetit nga i cili u arrestuan shtatë persona.

Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) me bazë në Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar punuan me Guardia Civil të Spanjës për rastin.

Nga shtatë arrestimet e bëra – dy në Madrid dhe pesë në rajonin bask, dy prej tyre besohet se janë udhëheqësit e bandës.

Ata jetonin të gjithë kryesisht në Shqipëri, por u arrestuan në Spanjë dhe do të përballen me ndjekjen penale në gjykatat spanjolle.

Gjatë bastisjeve, hetuesit konfiskuan telefona, kompjutera, karta bankare, fatura parash, dokumente identiteti dhe pasaporta të kombësive të ndryshme.

Administratori rajonal ndërkombëtar i NCA Stiv Rejnolds tha se oficerët hetues qenë “përballur me një grup krimi që ishte përgatitur të kontrabandonte emigrantë në kamionë mbi një nga kalimet më të gjata të trageteve dhe mallrave në Mbretërinë e Bashkuar”.

“Rreziqet e kësaj janë të vetë-dukshme”, tha Rejnolds.

Rejnolds tha se derisa punonte me homologët spanjollë, NCA kishte qenë në gjendje të “çmontonte operacionin e tyre dhe të parandalonte që jetë të tjera të viheshin në rrezik”.

Besohet se emigrantët paguanin midis 3,000 deri 15,000 euro për t’u kontrabanduar.

Rrjeti i krimit kontrabandoi kryesisht emigrantë shqiptarë nëpërmjet qyteteve veriore spanjolle Bilbao dhe Santander në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur tragetet dhe rrugët e transportit të mallrave për në Portsmouth, Southampton dhe Liverpool.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës kanë identifikuar rreth 50 persona që kanë bërë kalimin dhe i kanë lidhur ata me rrjetin.

Agjencia tha se emigrantët erdhën drejtpërsëdrejti nga Shqipëria në Spanjë, por disa u rekrutuan gjithashtu nga kampet rreth porteve spanjolle.

Kontrabandistët u jepnin atyre strehim dhe ushqim derisa u përkuleshin ndonjëherë në kamionë, për udhëtimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.

Këtë vit, më shumë se 33,500 njerëz kanë kaluar Kanalin Anglez në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla.

Duke folur në konferencën e Partisë Konservatore javën e kaluar, Sekretarja e brendshme Suella Braverman tha se rregullat moderne të skllavërisë “po abuzohen nga njerëzit që i bëjnë lojë sistemit”.

Ajo tha se grupi më i madh i emigrantëve me anije të vogla janë nga Shqipëria.

“Kjo është pavarësisht se ata kanë paguar mijëra paund për të ardhur këtu, ose kanë bërë me dëshirë një udhëtim të rrezikshëm përmes Kanalit. E vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre për trafikim janë gënjeshtra”, tha ajo.

Vlen të theksohet se është përmendur që burgjet në Britaninë e Madhe po pretendohet se do të strehojnë më shumë shtetas shqiptarë se burgjet në Shqipëri.

Siç ka raportuar Express.co.uk thuhet se veprimtarët kanë paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar rrezikon të bëhet “Alkatraz i Shqipërisë”, nëse numri i shqiptarëve që vazhdojnë ta shkeli ligjin është në rritje.

Sipas medias britanike, shifrat zyrtare kanë treguar se vetëm në vitin 2012 ishin gjithsej 180 shqiptarë të burgosur dhe tani shifrat kanë kaluar 1.500 persona.

Ministrat kanë paralajmëruar se nëse kjo shifër vazhdon të rritet atëherë për katër vite do të jenë mbi 5000 shqiptarë të burgosur.

/Shqip.com