Lajme

Kaosi te Kryesia e Kuvendit, deputetët e opozitës hyjnë nga dritarja dhe duke kaluar kangjellat, PS nis zbatimin e planit B

Ashtu siç edhe pritej, opozita ka shkaktuar kaos dhe rrëmujë edhe këtë të hënë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Në kushtet e pamundësimit për të zhvilluar normalisht mbledhjet e komisioneve prej protestës së deputetëve opozitarë, kryesisht mbështetës të Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, Partia Socialiste ka nisur zbatimin e planit B.

Kështu, komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave u mblodh online në orën 09.00 të mëngjesit. Në orën 12.30 u mblodh online edhe Komisioni i Ligjeve. Ndërsa komisioni Parlamentare për Punët e Jashtme shtyu punimet për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputetët e opozitës të cilët janë përjashtuar nga Konferenca e Kryetarëve nga pjesëmarrja në seancat plenare, nuk u lejuan sot të hynin në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Megjithatë, një pjesë e tyre arritën të tejkalonin pengesat e Gardës së Republikës. Flamur Noka u pa teksa kalonte mbi kangjellat e portës rrethuese të Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa deputetët e tjerë si Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Lefter Gështenja dhe Isuf Çelaj hynë nga dritarja.

Pamjet e deputetëve mbi kangjella dhe duke hyrë nga dritarja janë bërë virale në rrjet.

/Shqip.com