Lajme

Kaos dhe tensione/ Seanca e Kuvendit zgjat vetëm 15 minuta, Nikolla-opozitës: T’ju vijë turp!

Kuvendi është mbledhur këtë të hënë në ora 17:00, në një seancë plenare që vjen pas “javës së gjelbër”, ku ligjvënësit kanë qenë në takime në zonat e tyre zgjedhore.

Në rend të ditës ishte vetëm një pikë, ajo që lidhet me diskutimin e problematikave që ligjvënësit kanë evidentuar në zonat e tyre elektorale gjatë javës së shkuar.

Në këtë seancë mungonin 19 deputetë të grupimeve opozitare, të cilët janë pezulluar për shkak të bllokimit të seancave të shkuara në Kuvend apo në komisionet parlamentare.

Paralelisht me zhvillimet brenda sallës së seancës plenare, grupi i “Rithemelimit” dhe grupi i deputetëve që mbështesin kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhin, mbajtën një protestë në oborrin e Kuvendit.

Grupi i “Rithemelimit”, në mungesë të Berishës në “arrest shtëpie”, po udhëhiqet nga Flamur Noka.

Protestat janë një përshkallëzim, i aksionit opozitar, dhe tashmë situata në oborrin e Kuvendit ka nisur të japë sinjalet e para të tensionimit.

Në nisje të seancës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka replikuar me disa prej deputetëve të opozitës të cilët edhe pse të përjashtuar kanë arritur të hyjnë në sallën e parlamentit.

Nikolla u është drejtuar atyre se duhet “t’u vijë turp” pasi e dinë që janë të përjashtuar dhe po ndalojnë seancën.

Duke replikuar me deputetin Flamur Noka, ajo tha se nuk po provokon opozitarët, por janë këta të fundit që po provokojnë.

Turp t’iu vijë juve që e dini që jeni të përjashtuar dhe ndaloni seancën. Juve t’iu vijë turp! Ju lutem jemi në seancë për të diskutuar problemet. Nuk po provokoj, po vazhdoj me seancën, Juve po provokoni”, u shpreh Nikolla, duke lajmëruar dhe mbylljen e seancës plenare, që zgjati më pak se 15 minuta.

/Shqip.com