Sport Ndërkombëtar

Kane prezantohet te Bayerni, merr numrin 9

Bayern Munich, me një vit vonesë, më në fund ka gjetur trashëgimtarin e denjë të Robert Lewandowskit në repartin sulmues bavarez. Kampionët e shumëfishtë të Gjermanisë, në fakt kanë njoftuar se kanë nënshkruar me sulmuesin Harry Kane nga Tottenham.

Qendërsulmuesi anglez ka nënshkruar kontratë me gjigantët e Bundesligës deri më 30 qershor 2027 dhe do të mbajë fanellën me numrin 9.

Harry Kane-Bayern Munich ishte një “telenovelë” e vërtetë. Një ndjekje e lindur në verën e vitit 2022, me bavarezët në kërkim të një zëvendësuesi për Robert Lewandowski. Ofensiva e re u ndërmor kësaj vere nga bavarezët, e cila rezultoi vendimtare.

“Spurs” i kishin refuzuar të gjitha ofertat, deri në atë pikë sa i shtynë kampionët e Gjermanisë për ta tejkaluar shifrën prej 100 milionë euro në blerje.

Dje në mëngjes, teksa ishte nisur për në aeroport, me destinacion Mynihun, dyshohet se Kane u bllokua nga londinezët, të cilët i kërkuan të mos largohet. Situata u zhbllokua përfundimisht dhe as fjalët e trajnerit të “Spurs”, Ange Postecoglou, nuk lanë vend për dyshime.

Kane më në fund zbriti në Miunih rreth orës 19:10 të së premtes dhe menjëherë shkoi për ekzaminime mjekësore. Mungonte vetëm zyrtarizimi, i cili erdhi sot paradite, ndaj Kane mund të federohet edhe në Superkupën e Gjermanisë.

Autorizimi për regjistrim mund të jepet deri në orën 15:00. Ndeshja do të luhet në orën 20:45 në “Allianz Arena”. E pabesueshme të thuhet, por vetëm 24 orë pas mbërritjes së tij në Gjermani, bomberi anglez mund të fitojë trofeun e tij të parë në karrierë.

Duke mbushur 30 vjeç në korrik, Kane mund të mburret vetëm me disa arritje personale deri më tani, siç është titulli i golashënuesit më të mirë në Premier League (“Këpuca e Artë”) në 3 raste. Ndërsa në nivel klubi, palmaresi i tij është bosh. Të paktën tani për tani. Me Bayern Munich, me siguri do të fillojë të mbushet, hap pas hapi.

“Ishte një mikpritje e jashtëzakonshme për mua dhe familjen time në Mynih në 24 orët e fundit. Mrekulli të nënshkruaj për një klub kaq të madh, me një histori të pabesueshme. Mezi pres të filloj”, tha Harry Kane, pasi firmosi me Bayern Munich.

/Shqip.com