Lajme

Kandidati që mori më së shumti vota nga diaspora

Qendra e Numërimit të Rezultateve

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, është kandidatja më e votuar nga të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, sa i përket votimit me postë, njofton Shqip.com.

Kusari-Lila si kandidatja më e votuar ka arritur të marrë gjithsej 289 vota nga diaspora.

Pas saj, Bashkim Ramosaj – kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Deçanit, si kandidati I dytë më i votuar ka marrë 235 vota.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni ka marrë 199 vota, nga ato me postë.

Ardian Gjini i AAK-së kandidat për kryetar të Gjakovës, i cili do të shkojë në balotazh me Kusari-Lilën në zgjedhjet e 14 nëntorit, ka marrë 178 vota.

168 vota me postë ka marrë Kadri Rahimaj, kandidat i LDK-së për të parin e Kamenicës.

Ndërkaq Hysri Dobrunaj, kandidat LDK-së për kryetar të Deçanit ka marrë 153 vota.

Zenun Elezaj i AAK-së ka marrë 140 vota me postë, e Ferdinand Kolaj i PSHDK-së ka marrë 128. Kandidatët tjerë për kryetar kanë marrë më pak se 100 vota. /Shqip.com