Lajme

Kandidatët për kryetar të Prishtinës tregojnë se çfarë do të ndodhë me ndërtimin në zonat e gjelbra

Kandidatët për kryetar të Prishtinës

Kandidatët për kryetarë të Komunës së Prishtinës nga të gjitha partitë që kandidojnë për kryeqytetin janë përballur në një debat, ku po shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme, njofton Shqip.com.

Ndërtimi në zonat të cilat deri tani janë të gjelbra, si Butovci, Gërmia, Sofalia, Kolovica, është një nga pikat për të cilat është diskutuar në këtë debat zgjedhor.

Nga të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë debat, thanë se do të zbatojnë ligjet që janë në funksion lidhur me këto zona, meqë ligjet aktuale kanë parametra të saktë për mbrojtjen e zonave të gjelbra.

“Gërmia është zonë e mbroijtur me ligj dhe do të qëndrojë e tillë, ndërsa Badovci është territor në komunën e Graçanicës, për zonat tjera duhet të rividohen planet ekzistuese”, thotë Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se për lagjen Sofali është aktual plani rregullativ që cakton konditat e ndërtimit që do ta respektojnë dhe do ta implementojnë, kurse për lagjen Kolovicë që nuk ka plan rregullativ, do të punojnë për ta jetësuar atë.

Ndryshe nga ta, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, thotë se lagjet rreth Gërmisë duhet të trajtohen në dy forma.

“Butovci është afër Gërmisë, banorët e kanë një hall që realisht kanë një pronë private që nuk mund ta shfrytëzojnë, derisa ka njerëz që iu kërkojnë ta japin për shfrytëzim”, tha ai derisa foli për njërën nga format e trajtimit.

Sa i përket lagjeve Sofali dhe Kolovicë, ai tha se “janë lagje që duhet që banorëve të këtyre lagjeve t’iu rregullohet jeta meqë kanë probleme me ndriqim e trotuare, mungojnë çerdhet dhe linja e autobusit”.

Përballja midis kandidatëve për kryetarë të Prishtinës

Në këtë përballje me Jeta Xharrën, përveç Vitisë, Ramës e Ismailit, janë edhe kandidati i AAK-së, Daut Haradinaj, ai i Fjalës, Avni Çitaku, Florim Isufi nga Partia Balliste dhe Gëzim Mehmeti nga AKR-ja.

Kandidatët për të parin e Prishtinës në këtë debat po përgjigjen për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim. /Shqip.com