Lajme

Kandidatët për kryetar komune nga VV dhe AAK “bëhen bashkë”

Bali Muharremaj dhe Mytaher Haskuka

Në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, kur rivaliteti politik është në “kulm” dhe debatet televizive dinë të jenë të “ashpra”, kandidatët për kryetarë të komunave të dy partive kanë lënë anash garën dhe ditën e kanë nisur së bashku duke pirë kafen e mëngjesit.

Kryetari i komunës së Suharekës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, i cili po kandidon edhe për një mandat, është takuar të premten me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskukën.

Për takimin ka njoftuar vetë Muharremaj në profilin e tij në Facebook, teksa ka publikuar edhe foto me Haskukën.

“Kafe miqësore me z.Mytaher Haskuka. Mendoj se duhet me kriju gjithmonë mundësinë, me pas raporte të mira mes nesh si popull. Garojmë e shfaqemi secili prej nesh, për ta krijuar gjithsesi mundësinë, që e ardhmja të mbetet më mirë për qytetarët tanë kudo në Kosovë”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 17 tetor, ndërsa fushata e partive politike ka nisur të enjten, 16 shtator./SHQIP.com