Lajme

Kancelari i Gjermanisë: Është e paimagjinueshme që dy shtetet që nuk e njohin njëra-tjerën të anëtarësohen në BE

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz

Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë, ka mbajtur konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Scholz ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin Kurtin kanë folur heqjen e vizave, situatën në Ukrainë, dialogun e tema tjera.

“Krahas marrëdhënieve tona, ne biseduam për liberalizimin e vizave që po mungon si dhe pozicionimin e Kosovës karshi agresionit rus në Ukrainë. Kosova si partnere e besueshme qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare. Kemi biseduar për Procesin e Berlinit, dëshiroj që bashkë me partnerët tanë ta ri jetësojmë atë këtë vit dhe këtë vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin”, tha ai.

Kancelari i Gjermanisë ka thënë se është e rëndësishme që dialogu me Serbinë të shkojë përpara si parakusht për investime e anëtarësim në BE.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu me Serbinë të çohet përpara, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen edhe më të qarta. Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një zgjidhje politike që kontribuon në stabilitetin rajonal.  Është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të bëhen pjesë e BE-së”, tha ai.

Ai gjithashtu ka folur edhe liberalizimin e vizave ku ka thënë se  heqja e vizave është proces që duhet të shkojë përpara.

“Heqja e vizave duhet të shkojë përpara. BE duhet të bëj punën e saj. Po angazhohem me këmbëngulje në këtë aspekt”, ka thënë Scholz.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj konferencë, ka thënë se Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga të njëjtat synime e ideale.

Lexo edhe:
Kurti: Në fund të këtij viti aplikojmë për statusin e vendit kandidat për BE

Kurti tha gjithashtu se në fund të këtij viti Kosova do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE./Shqip.com