Lajme

Kancelari gjerman pret shtensionim të situatës në Veri

Olaf Scholz - Kancelari i Gjermanisë / Kay Nietfeld - dpa

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të mërkurën në mbrëmje se pret që gjendja në veriun e Kosovës të shtensionohet, të mbahen zgjedhjet në komunat me shumicë serbe dhe të zbatohen marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelari Scholz i bëri komentet gjatë një konference për media me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski në Berlin.

“Mendoj që ka marrëveshje mes dy shteteve që i rregullon marrëdhëniet bazike mes tyre dhe ajo duhet të bazohet në mirëkuptim mes tyre, dhe kjo duhet të zbatohet. Nga pikëpamjet tona është e rëndësishme që t’i jepet kontribut për de-përshkallëzim, dhe shumë shpejt mund të mbahen zgjedhje në komunat me shumicë serbe në Kosovë, të ketë pjesëmarrje të madhe në votim, dhe të mos jenë vetëm zgjedhje formale, por të jenë kryetarë të zgjedhur legjitimë”, ka thënë Scholzi në konferencë e përbashkët për media me Kovaçevskin.

Aty ai inkurajoi faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese për t’ia hapur rrugën vendit drejt integrimit më të shpejtë në BE.

Siç thuhet në njoftimin për media të Qeverisë Gjermane, termi “shtetet e Ballkanit Perëndimor” ka një kuptim politik, por edhe gjeografik. Ai thuhet se u fut në gjuhën e BE-së në samitin e BE-së në 1998 në Vjenë dhe u referohet atyre shteteve të Gadishullit Ballkanik që nuk janë ende anëtarë të BE-së.

Prandaj, përveç Shqipërisë, shtetet pasardhëse jugosllave Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia numërohen aktualisht midis shteteve të Ballkanit Perëndimor – por jo Sllovenia dhe Kroacia, të cilat iu bashkuan BE-së përkatësisht në 2004 dhe 2013.

Scholzi tha se në nëntor 2022, procesit të Berlinit iu dha një shtysë e re me një samit në Berlin. Ai tha se disa marrëveshje na kanë afruar me qëllimin e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal. “Këtë vit, ne duam të bëjmë përparim edhe këtu. Dhe jam shumë i kënaqur që samiti do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor – dhe kështu për herë të parë në vetë rajonin”, theksoi Scholz.

Ai tha se sinjali i një samiti në Ballkanin Perëndimor, sidomos duke pasur parasysh tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, është një çështje e rëndësishme. “Do të ishte një mundësi e mirëseardhur për Serbinë dhe Kosovën që të ripërqendrohen plotësisht në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, veçanërisht duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, në të cilën Maqedonia e Veriut luajti një rol vendimtar si mikpritëse e samitit”, tha kancelari gjerman.

/Shqip.com