Lajme Botë

Kanadaja shpall gjendje të jashtëzakonshme pas stuhisë

Stuhia e madhe ka bllokuar lidhjet rrugore dhe hekurudhore

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në provincën perëndimore kanadeze të Kolumbisë Britanike pas një stuhie të madhe e cila ka bllokuar lidhjet rrugore dhe hekurudhore në rajon.

Forcat e Armatosura Kanadeze janë duke u vendosur për të ndihmuar mijëra banorë që janë bllokuar nga stuhia që goditi vendin natën e së dielës, transmeton Shqip.com.

Kryeministri Justin Trudeau premtoi ndihmë gjatë një vizite në Uashington DC dhe tha se trupat do të ndihmojnë në rindërtimin.

Një grua ka humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ndërsa dy persona rezultojnë të zhdukur.

Mijëra njerëz mbeten të evakuuar pasi një “lum atmosferik” – një rrip i gjatë lagështie në ajër që transporton ujin nga zonat tropikale drejt poleve – hodhi mesataren e reshjeve mujore të rajonit në 24 orë.

Zyrtarët në rajon ia atribuojnë fatkeqësinë natyrore efekteve të ndryshimeve klimatike.

Ndikimi i ndryshimit të klimës në frekuencën e stuhive është ende i paqartë, por sipas BBC-së, temperaturat e rritura të sipërfaqes së detit ngrohin ajrin sipër dhe bëjnë më shumë energji të disponueshme për të nxitur uraganet, ciklonet dhe tajfunet. Si rezultat, ato ka të ngjarë të jenë më intensive me reshje më ekstreme.

BBC më tej shkruan se bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve./SHQIP.com