Lajme

Kamerat ‘pa pronar’ që vëzhgojnë Ranillugun e Parteshin

Kamerë e sigurisë në hyrje të Komunës së Ranillugut.

Më shumë se njëzet kamera të sigurisë, pronari i të cilave nuk dihet, janë të vendosura nëpër hapësira publike në Ranillug dhe Partesh – komuna të banuara me shumicë serbe.

Prokuroria e Shtetit ka nisur të mbledhë informacione nën dyshimet se po bëhet vëzhgim illegal, raporton Radio Evropa e Lirë.

Një urë me anësore trengjyrëshe, që kalon nëpër një zonë të gjelbëruar, shënon hyrjen në Komunën e Ranillugut, rreth 70 kilometra larg Prishtinës.Sapo të kalohet ura, si për të përshëndetur personat që hyjnë në këtë qytezë të banuar në shumicë nga serbët, qëndron një kamerë sigurie në një shtyllë elektrike.

Kamera, pa ndonjë markë të dukshme, por me dizajn të njëjtë, janë të vendosura nëpër disa rrugë të Ranillugut dhe fshatrave përreth.

Por se kush është pronari i kamerave, kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon ato, nuk dihet.Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, vëzhgimi i hapësirave publike me kamera mund të bëhet vetëm për nevoja të Policisë së Kosovës.

Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë e ka inspektuar këtë komunë më 18 qershor.Sipas raportit, vetë Komuna e Ranillugut i ka thënë agjencisë se nuk e di se kush i ka vendosur dhe kush i kontrollon kamerat e sigurisë në rrugë publike.

Kamerë e sigurisë përballë Komunës së Parteshit, në fshatin Pasjan.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se komuna ka të vendosura kamera që kontrollohen nga zyrtarët përgjegjës vetëm përreth ndërtesës së saj.

Po ashtu, sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që po ashtu ka inspektuar zonën e Komunës së Parteshit, zyrtarët e kësaj komune nuk kanë treguar bashkëpunim në dhënien e informacioneve lidhur me këto kamera.

/Shqip.com