Lajme

Kamerat në rrugët e Shkodrës, policia merr dëshmitë e qytetarëve

Vazhdojnë hetimet për të zbuluar autorët e vendosjes së kamerave të sigurisë në rrugët e Shkodrës, që mbikëqyrnin lëvizjet e policisë, por edhe të grupeve rivale në qytetin verior.

Burimet bëjnë me disa, se në 24 orët e fundit disa persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës lidhur me sekuestrimin e 21 kamerave të sigurisë të cilat dyshohet se ishin vendosur nga grupe kriminale për të pasur nën mbikëqyrje lëvizjet e grupeve rivale, por edhe të efektivëve në disa zona të Shkodrës.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se asnjë prej të shoqëruarve nuk ka dhënë informacion për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon hetimet për të zbuluar materialet e ruajtura në servera.

Pasi dyshohet se nga materiali i kamerave të sigurisë mund të jenë filmuar disa ngjarje kriminale të ndodhura në zonat ku ishin të vendosura kamerat.

Gjurmimi i këtyre serverave mund të çonte në zbardhjen e ngjarjeve kriminale ende pa autor. Ndërkohë në zonat të cila kontrollohen nga fiset Bajri e Lici pritet të ketë kontrolle të herëpashershme.

/Shqip.com