Lajme

Kamberi tregon çka i tha Vuçiqit gjatë takimit

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë të enjten pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksnadër Vuçiq se “prioriteti i koalicionit të shqiptarëve nuk është hyrja në Qeveri, por integrimi i shqiptarëve”.

Kamberi tha pas gati një ore bisedë presidenti serb nuk u ka ofruar asgjë konkrete, por i ka dëgjuar.

“Ne shkojmë për herë të pestë, dhe kërkesat tona janë të vjetra. Tema kryesore e planit shtatëpikësh është zhvillimi ekonomik, integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështja e diplomave të panjohura, çështja e pasivimit të adresave, përdorimi i termave fyese për shqiptarët – termi Shiptar. Të gjitha këto çështje nënkuptojnë jetë për shqiptarët në jug të Serbisë”, shpjegoi Kamberi dhe ritheksoi se prioriteti i tyre nuk është hyrja në Qeverinë e Serbisë, por integrimi në institucionet shtetërore, por nga poshtë, jo nga lart.

Ai tha se i ka kërkuar presidentit serb që personalisht të avokojë për përmbushjen e atij plani.

“Ne i kërkuam presidentit që personalisht të avokojë për përmbushjen e atij plani. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Me ardhjen kemi dashur të tregojmë konstruktivitet në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët”, tha Kamberi dhe shtoi se ai ka marrë pjesë në zgjedhje që nga viti 2010, por nuk ka qenë asnjëherë pjesë e qeverisë, raporton Danas.

Kamberi po ashtu ka thënë se është hera e pestë që konsultohet me presidentin e Sebisë për formimin e qeverisë së re./SHQIP.com