Lajme

Kamberi: Rezultati i partive shqiptare në zgjedhjet e 3 prillit, leksion për Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë

Qendra e votimit në Preshevë

Në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit në Serbi, partitë politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk kanë hyrë me listë të përbashkët.

E kjo, sipas kryetarit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, ka ndikuar në humbjen e vullnetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Një nga faktorët është pasivizimi i vendbanimeve që ka ndodh gjatë viteve të fundit, dhe ia ka mohuar të drejtën disa qytetarëve shqiptar për të votuar. E dyta është çështja e migrimit të shqiptarëve që ka ndodh kryesisht nga viti 2008 për shkak të diskriminimit shtetëror në luginë të Preshevës. E treta është mungesa e entuziazmit e shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet qendrore që kanë të bëjnë me Beogradin sepse nuk vjen asjnë lloj rezultati nga Beogradi për Luginën e Preshevës pothuajse për 30 vjet. Dhe e katërta, kanë qenë dy lista e që rrjedhimisht kjo ka ndërtuar një pasivizëm të qytetarëve për të votuar”, tha Kamberi për SHQIP.com.

Belgzim Kamberi

I ashpër u tregua me Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë për të cilat thotë se e kanë lënë pas dore Luginën e Preshevës.

Ai shprehet se rezultati i partive shqiptare në zgjedhjet e 3 prillit, është ‘mësim për të dy qeveritë’.

“Nuk duhet të harrojmë se ky është një leksion edhe për Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë se nuk arritën të kontribuojnë përndryshe nga dy vite më parë kur shqiptarët ishin në listë me ndërhyrjen e Qeverisë së Shqipërisë. Tash, kësaj radhe, Qeveria e Shqipërisë nuk është përfshirë kurse ajo e Kosovës pothuajse vonë. Dëshmuan që nuk kanë shumë interesim dhe as vizion se çfarë politike bëjnë shqiptarët në Serbi”, vijoi më tej Kamberi.

Sipas Kamberit, të dy qeveritë do duhej ta shihnin çështjen e Luginës së Preshevës si ‘punë të përditshme’ dhe jo të bëjnë vizita siç i quan ai, ‘ad-hoc’ vetëm në kohë zgjedhjesh.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka proceduar 98,49 për qind të vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare, ku shqiptarët nuk do të përfaqësohen në parlament.

Sipas rezultateve të fundit, “Koalicioni i Shqiptarëve” i Shaip Kamberit ka marrë deri më tani besimin e 0.26 për qind të qytetarëve, gjegjësisht ka 9,651 vota, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë deputet.

Gjithashtu edhe lista tjetër e shqiptarëve e kryesuar nga Shqiprim Arifi, “Alternativa për Ndryshim” ka marrë besimin e shumë pak votuesve. Ajo deri më tani ka 0.09 për qind apo 3, 273 vota, që do të thotë se do të mbetet jashtë Kuvendit./Shqip.com