Lajme

Kamberi përfundon mandatin e deputetit në Parlamentin e Serbisë: Nuk kishim shumë ndikim përball shumicës parlamentare

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ditën e hënë ka përfunduar mandatin si deputet për këtë legjislaturë dyvjeçare, së bashku me kolegët e Grupit Parlamentar.

Kamberi ka treguar se ishin vetëm gjashtë deputetë opozitarë përballë 244 deputetëve të shumicës parlamentare dhe sipas tij edhe të ishin më shumë në numër nuk kishte ndryshuar diçka konkrete në politikën dhe në vendimet e kësaj shumice parlamentare të një pushteti autoritar siç është ai i Aleksandër Vuçiqit.

“Shumë më e rëndësishme është se çfarë politike ushtron në përfaqësim. Pra, deputetët nga Lugina në Kuvendin e Serbisë marrin kuptim dhe vlerë nga politika që përfaqësojnë dhe ushtrojnë, jo vetëm nga prania ose numri i tyre”, ka shkruar Kamberi.

Ai gjithashtu ka thënë se personalisht është përpjekur me ushtruar përfaqësimin e tij siç ka besuar dhe aq sa ka ditur.

Sigurisht se kam mundur më mirë. E duhet më mirë. Nuk jam i përsosur dhe bëj lëshime, si çdo qenie njerëzore.

“Por kam dhënë maksimumin për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve që kam përfaqësuar. Interesin e rajonit prej ku jam deleguar.  Kam ngritur tema. Me prioritet ato nga Lugina e Preshevës, por edhe ato që shpërfaqin pushtetin autoritar dhe karakterin hegjemonist të Serbisë së sotme të Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë Kamberi./Shqip.com