Lajme

Kamberi: 610 vota do të jenë të mjaftueshme për fitore

Shaip Kamberi - deputet në parlamentin e Serbisë

Sot në shkollën ‘Muharrem Kadriu’ në Tërnoc të Bujanocit është zhvilluar procesi i rivotimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë ndërsa para pak çastesh është mbyllur kjo qendër e vendvotimit.

Shaip Kamberi, kandidat për deputet të Kuvendit të Serbisë, tha se sipas të dhënave preliminare rreth 670 votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre.

Kamberi theksoi se për të fituar edhe një mandat si deputet i nevojiten rreth 610 vota.

Ai tha se gjatë votimit ka shkuar gjithçka në rregull.

“Ne sot me angazhimin tonë, arritëm se përmes gjykatës të rikthejmë në votim njësinë numër gjashtë dhe sipas rezultateve preliminare, janë 670 votues që kanë dalë dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre. Ne llogarisim se të gjithë janë për koalicionin tonë, 610 votues do të jenë mjaftueshëm. Sipas asaj që presim po, presim fitore ndërsa do të presim rezultatin final. Nuk ka pas pengesa apo problem të theksuar, çështja e Ramazanit ka ndikuar që votuesit tanë të dalin më shumë mesdite. Shpresojmë së të gjithë këto vota të dalin”, tha Kamberi në transmetuesin publik.

Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi që sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota./Shqip.com