Lajme Botë

“Kam prova përtej çdo dyshimi”, Jack Smith kërkon të dëshmojë në Kongres për hetimet ndaj Donald Trump: Sjellja kriminale e Presidentit, e faktuar!

Pas paraqitjes në një seancë dëshmie me dyer të mbyllura përpara Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve më herët këtë javë, Jack Smith, ish-këshilltari special që udhëhoqi çështjet penale kundër presidentit Donald Trump, vijon të kërkojë mundësinë për të mbrojtur punën e tij në një seancë publike, si dhe për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të vazhdueshme nga republikanët.

Avokatët e Smith po ushtrojnë presion që klienti i tyre të lejohet të dëshmojë në një forum të hapur, në një letër të re drejtuar kryetarit të Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan, e siguruar fillimisht nga POLITICO.

“[Ne] përsërisim kërkesën tonë për një seancë të hapur dhe publike”, shkruajnë avokatët e Smith, Lanny Breuer dhe Peter Koski, në letrën drejtuar Jordanit. “Gjatë hetimit ndaj Presidentit Trump, z. Smith ndoqi me përpikëri politikat e Departamentit të Drejtësisë, respektoi të gjitha kërkesat ligjore dhe ndërmori veprime të bazuara në faktet dhe ligjin. Ai qëndron pas vendimeve të tij”.

Breuer dhe Koski kanë kërkuar gjithashtu që video-regjistrimi i dëshmisë së Smith të publikohet i plotë, në mënyrë që ai t’i drejtohet drejtpërdrejt publikut “dhe jo përmes rrëfimeve të dorës së dytë”.

Dëshmia e Smith zgjati më shumë se tetë orë të mërkurën, teksa ai foli nën betim përpara anëtarëve të Komitetit Gjyqësor dhe mbrojti vendimet e tij për të ngritur akuza penale ndaj ish-presidentit, lidhur me dyshimet për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara dhe përpjekje për të minuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Sipas pjesëve të deklaratës së tij të ndara me POLITICO, Smith argumentoi se provat që zotëronte zyra e tij do të kishin mjaftuar për të provuar sjelljen kriminale të Presidentit “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Ai nuk pati kurrë mundësinë t’i paraqiste plotësisht këto prova, pasi u detyrua të tërhiqte të dyja çështjet si pasojë e një politike të Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të presidentit aktual në detyrë. Megjithatë, Trump dhe aleatët e tij kanë vijuar ta portretizojnë Smith-in si një figurë negative dhe drejtues të një fushate për politizimin e Departamentit të Drejtësisë gjatë epokës Biden.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat janë zotuar të hetojnë Smith-in dhe punën e zyrës së tij, në një ofensivë që është intensifikuar edhe më shumë pas zbulimeve se Smith kishte kërkuar të dhëna telefonike për anëtarë republikanë të Kongresit, si pjesë e hetimit për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve.

Jordan, i cili veçmas ka referuar për ndjekje penale ndihmësin e lartë të Smith-it për mosbashkëpunim me hetimin e tij, tha se nuk e ka përjashtuar mundësinë që këshilltari special i epokës Biden të dëshmojë në një seancë të hapur.

Ka relativisht pak detaje mbi deklaratat e Smith-it dhe shkëmbimet e tij me ligjvënësit, përtej pjesëve të ndara me gazetarët. Edhe anëtarët e Komitetit Gjyqësor që u larguan nga seanca e dëshmisë të mërkurën dhanë shumë pak informacion.

Ndërkohë që vazhdon një fushatë e Departamentit të Drejtësisë për të ngritur akuza penale ndaj atyre që presidenti i percepton si armiq, Smith po lundron gjithashtu në një terren ligjor të ndërlikuar: dëshmia e tij kufizohet nga rregullat e sekretit të jurisë së madhe, politikat e DOJ dhe një urdhër i një gjyqtari federal që një pjesë e raportit të tij mbi çështjen e dokumenteve të klasifikuara të mbetet e vulosur.

Nuk është e qartë deri në çfarë mase Smith u ka thënë hetuesve të Kongresit se nuk mund të jepte informacione të caktuara për shkak të këtyre kufizimeve të shumta mbi dëshminë e tij.

Demokratët kanë argumentuar se vendimi për të zhvilluar dëshminë me dyer të mbyllura i ka privuar qytetarët amerikanë nga informacione të rëndësishme mbi presidentin dhe ka përbërë një përpjekje për të shtrembëruar përmbajtjen e dëshmisë së Smith-it.

Deputeti Jamie Raskin nga Maryland, demokrati më i lartë në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, u shpreh ende shpresëplotë se Smith-it do t’i jepet mundësia të flasë publikisht.

“Mendoj se dikush duhet ta përgatisë Donald Trump-in për këtë, sepse ai do të shkatërrohet dhe do të poshtërohet nga ajo që do të dëgjojë,” tha Raskin në një intervistë të shkurtër të enjten./ Politico | Përktheu Shqip.com

/Shqip.com