Kulturë

Kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Prishtinës, për mbajtjen e “Sunny Hill” në Gërmi

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës janë paditur nga komuniteti “Qytetarët Aktivë”, për lejimin e mbajtjes së “Festivalit Sunnyhill” këtë vit në parkun e Gërmisë.

Përmes një komunikate për media “Qytetarët aktivë”, kanë njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Qytetarët Aktivë, konsiderojnë që zyrtarët me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer vepër penale të degradimit ose shkatërrimit të mjedisit (neni 338 i Kodit Penal), lejimit të kundërligjshëm të instalimeve që ndotin mjedisin (neni 340 i Kodit Penal), si dhe të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kallëzim penal është bërë ndaj Nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, Drejtorit për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Ilirik Musliu, udhëheqësit të sektorit për shërbime publike Habib Qorrit, si dhe zyrtarit për hapësira publike, Sabri Gashit.

Lexo edhe:
Qytetarët Aktivë: Anulohet pëlqimi që “Sunny Hill” të mbahet në Gërmi

“Qytetarët aktivë”, kanë qenë kundër organizmit të Sunny Hill, në parkun e Gërmisë, të cilët kishin kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të anulohet vendimi për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në parkun e Gërmisë.

Kjo organizatë e cila monitoron Drejtorinë e Parqeve thonë se nuk kanë hasur në debat publik ose thirrje për pjesëmarrje në vendim dhe këtë e quajnë shkelje ligjore.

/Shqip.com