Kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Një kallëzim penal është ngritur ndaj Fatos Osmanit, këshilltar politik në Kabinetin e Ministres Arbërie Nagavci dhe ndaj Feime Llapashticës, udhëheqëse për planprograme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), më dyshimet se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.
Kallëzim penal i ngritur nga Shtëpia Botuese “Luarasi”, përmes avokatit Driton Muharremi, hedh dyshime se Fatos Osmani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), në MASHT dhe Feime Llapashtica në cilësinë e anëtares, kane tejkaluar kompetencat e tyre duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qellim te përfitimit të dobisë pasurore tjetrit dhe duke i shkaktuar dëm Shtëpisë Botuese në fjalë, raporton Betimi për Drejtësi.
Fillimisht, thuhet se Këshilli i Eksperteve për Programe për Tekste Shkollore ka publikuar rezultatet preliminare për tekstet te klasave 4 dhe 9, respektivisht vlerësimin e dorëshkrimit te tekstit Matematika 4 e Shtëpisë Botuese “Luarasi” ku recensenti me Kod M43 dorëshkrimin ne fjale e ka vlerësuar me note 2.66 duke pretenduar se setit i mungon libri fletore pune dhe ne ketë mënyre ia ka pamundësuar kalimin e librit me poenë për vlerësim pozitiv.
Mirëpo, më pas komisioni i ankesave kishte ftuar ekspertin dhe i njëjti kishte thënë se libri i plotëson kushtet për përdorim (kalueshmëri) dhe e ka vlerësuar me notën 3.00. Kështu, sipas këtij kallëzimi penal, Këshilli kishte injoruar vendimin e komisionit të ankesave për rishqyrtimin e dorëshkrimit dhe kishte vazhduar me procedura.
Dy javë më parë, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se do të eliminojnë çdo parregullsi lidhur me tekstet shkollore.
Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, e para e Ministrisë së Arsimit ka thënë se hap pas hapi do të bëhet eliminimin i plotë i parregullsive.
“Beteja me keqpërdorues në proces të përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore nuk do të ndalet. Hap pas hapi deri në eliminimin e plotë të parregullsive dhe shpërdorimeve drejt qëllimit të përbashkët për tekste shkollore më cilësore”, ka shkruar Nagavci.
Nagavci ka thënë se tashmë ka kërkuar një përgjigje nga ana e auditorit të brendshëm lidhur më këtë çështje.
Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./Shqip.com