Lajme

Kadrijaj-Vitisë: Merre mundin e vizitoje Deçanin, edhe ne jemi qytetarë të Kosovës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar pas dyshimeve se rreth 800 qytetarë të Deçanit janë helmuar nga uji i pijes, duke thënë se asnjë nga qeveritarët nuk i ka vizituar, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, ajo i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për ta vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ku po trajtohen pacientët që dyshohet se janë helmuar.

“Interesant shume me këtë qeverinë tonë, as një prononcim e as një vizitë në Deçan. Ministër Vitia merre mundin e vizitoje Deçanin e interesohu për nevojat që ka QKMF-ja për barna e material tjetër për trajtimin e pacientëve. Edhe ne jemi qytetar të Kosovës dhe duhet të trajtohemi si të tillë.

Ajo tutje është shprehur se të gjitha instancat duhet të jenë në nivel të detyrës që të zbulohet shkaku i këtij “helmimi masiv”.

“Jemi me qytetarët e Deçanit me të gjitha kapacitetet komunale!”.

Rreth 800 banorë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kësaj komune nën dyshimin për helmim me ujë të pijes.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, deklaroi se bazuar në analizat e para të kryera në Deçan qytetarët nuk janë helmuar nga uji i pijshëm.

Përmes një konference për media të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë të hënën, Ramadani tha se në bashkëpunim me ministrinë nga mostrat e marra kanë nxjerrë rezultatet e dyta laboratorike, të cilat nuk konstatojnë se uji që vinte nga ujësjellësi rajonal i Deçanit është i kontaminuar./Shqip.com