Sport Ndërkombëtar

Jose Mourinho e thumbon rëndë Igli Taren!

Roma vuajti jo pak ndaj Ludogorets për të marrë “biletën” e raundit pasardhës të Ligës së Evropës.

“Verdhekuqtë” e mbyllën pjesën e parë në disavantazhin e një goli, ndërsa në të dytën, u desh ndërhyrja e trajnerit Jose Mourinho që aktivizoi Nicolo Zaniolon për të ndryshuar krejtësisht panoramën.

Në entuziazmin e kualifikimit, tekniku Jose Mourinho nuk ngurroi të thumbonte edhe rivalët e qytetit, Lazio.

“Bardhekaltërit” u eliminuan nga “Europa League” dhe do të vijojnë aventurën evropianë në Ligën e Konferencës, një kompeticion i cili së fundmi është quajtur si “Kompeticioni i Dështakëve” nga ana e drejtorit të Lazios, Igli Tare.

Kështu, Mourinho theksoi se nisur nga fjalët e drejtorit shqiptar, ndoshta Lazio nuk ka për synim t’i shkojë deri në fund të kësaj gare.

“Për mua Lazio është favorite në Conference League, por ndoshta problemi i tyre është Zoti Tare. Ai nuk kërkon ta fitojë Conference League, e ka quajtur si kompeticioni i dështakëve”, theksoi trajneri portugez për mediet italiane.

Kujtojmë se pikërisht Roma në edicionin e kaluar e ka fituar Ligën e Konferencës në finalen e zhvilluar në Tiranë.

/Shqip.com