Lajme

Jorgo Goro për Shqip.com: Nuk jam dorëhequr nga kryebashkiaku i Himarës, vazhdoj detyrën!

Gazeta online “Greek City Times” raporton se kryetari bashkisë Himarë, Gjergj Goro ka dhënë dorëheqjen.

Në artikull thuhet se “kandidati Goro qëndroi në detyrë teksa kundërshtari i tij Fredi Beleri është burg”. Greek City Times duke mos cituar asnjë burim thotë se “Goro dha dorëheqjen të shtunën“.

Por si qëndron e vërteta?

I kontaktuar nga Shqip.com, pyetjes nëse ai ka dhënë dorëheqjen apo vijon të jetë në detyrë, dha këtë përgjigje: “Nuk e kam dhënë dorëheqjen. Vazhdoj detyrën”.

Në median shqiptare ka patur raportime se Gjergj Goro e ka depozituar dorëheqjen në prefekturën e Vlorë. Prefekti Vlorës Flamur Mamaj ka thënë: “Nëse zoti Goro do të kishte dhënë dorëheqjen atë nuk e bën në prefekturë por përpara këshillit bashkiak”.

Edhe prefekti Mamaj hodhi poshtë dorëheqjen e tij pas një telefonate që kishte zhvilluar me Goron paraditen e të dielës.

Bashkia Himarë është kthyer në një “mollë sherri” mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Arrestimi kandidatit të opozitës Fredi Beleri nën dyshim e shitblerjes së votave prodhoi përplasjen më të re në marrëdhëniet mes dy vendeve tona fqinje.

Greqia ngulmon me forcë në betimin e Fredi Belerit ndërsa qëndrimi i qeverisë shqiptare është se kjo është një çështje e drejtësisë. Athina ka paralajmëruar se do të bllokojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE nëse Beleri nuk lejohet të betohet.

Edi Rama paralajmëron zgjedhje të reja në Himarë
Vendimi i Gjykatës së Posaçme që rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për leje nga burgu për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, u cilësua nga kryeministri Edi Rama si një qëndrim korrekt ligjor. Në atë vendim, Gjykata e Posaçme ka interpretuar arsyen e mosmiratimit të lejes nga burgu për Fredi Belerin.

‘Masa e sigurimit personal “arrest në burg” për vetë faktin se konsiderohet si më ekstremja, kuptohet se edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e saj. Gjykata vlerëson se interesat kushtetuese për zhvillimin e një procesi të rregullt e të drejtë ligjor konsiderohen si prevaluese në raport me tagrin e marrjes së mandatit për ushtrimin e detyrës së kryetarit të bashkisë nga ana e ankuesit Dhionisios Alfred Beleri.’- thuhet në vendimin e GJKKO.

Pikërisht në linjë me këtë urdhërim të gjykatës, kryeministri Rama tha, në një shpjegim të detajuar ditën e enjte, se Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë, i paveshur me pushtet deri në një vendim të formës së prerë ndaj tij.

Kreu i qeverisë, evidenton nga ana tjetër nevojën për një zgjidhje në drejtimin e bashkisë së Himarës deri në përfundim të procesit ndaj Belerit, pasi thekson se kandidati humbës Jorgo Goro qëndron ende në krye të institucionit për shkak të situatës së krijuar.

Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:

  1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
  2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
  3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.’- shkruan Rama.

Ligji për qeverisjen vendore, nuk ka një parashikim konkret për rastin, megjithatë ai parashikon se këshilli bashkiak mund të zgjedhë ushtruesin e funksionit të kryetarit të Bashkisë nga nënkryetarët ose nga një prej anëtarëve të Këshillit në rast vakance 6 muajt e fundit para zgjedhjeve.

Edhe Gjykata e Posaçme në vendimin e saj argumenton se i takon qeverisë të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje, njësoj si çdo mund të bënte në një rast fatkeqësie natyrore apo emergjence.

“I takon qeverisjes qendrore, që bazuar në parimin e përgjegjësisë për të siguruar qeverisje efektive, ligjore dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike të qëndrueshme, të marrë masa, komform kuadrit ligjor dhe modeleve më të mira europiane, për gjetjen e zgjedhjes”, thuhet në vendimin e zbardhur të GJKKO.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri i cili ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i japin leje për të kryer betimin.

/Shqip.com