Ekonomi

Jonuzi: “Trepça”, në gjendje të vështirë financiare

Kombinati Metalurgjik "Trepça"
Kombinati Metalurgjik "Trepça"

Kombinati Metalurgjik “Trepça” po përballet me gjendje të vështirë financiare dhe me mungesë të punëtorëve të rinj. Kështu thotë kryetari Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Brahim Jonuzi, i cili për Radio Kosovën tha se nëse nuk merren masa, ky kombinat metalurgjik do të falimentojë.

“Si rezultat i mungesës së mjeteve financiare kemi ardhur në gjendje pranë kolapsit”, tha Jonuzi.

 Ai përmendi problemet kryesore me të cilat po përballet kombinati metalurgjik “Trepça”.

“Probleme me paga, siguri dhe shëndet në punë janë disa pika me të cilat jemi të preukopuar. Problemet më të mëdha janë mungesa e investimeve, mos marrja e punëtorëve të rinj,  sepse shumë kanë dalë në pension dhe si rrjedhojë reduktimi i punëtorëve ka bërë që prodhimi të ngecë”, shtoi Jonuzi.

Ai i bëri thirrje qeverisë e menaxhmentit që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje, sepse sipas tij, çdo vonesë do të jetë e kushtueshme në këtë drejtim.  

E ekonomisti Erton Bega, tha për Radio Kosovës se qeveria duhet të dalë me një strategji për të zhvilluar Trepçën, në mënyrë që të rritet prodhimi dhe të nxiten investitorët e huaj.

 “Një partneritet publiko privat në Trepçë do të ishte margaritar për të filluar punën dhe rritur prodhimin, sepse Trepça ka mundësi të jashtëzakonshme për eksporte dhe është një resurs, i cili mund të tërheqë investitorë të fuqishëm, ku përfitues do të ishte shteti i Kosovës”, tha Bega.

Radio Kosova ka kontaktuar edhe me kryeshefin ekzekutiv, Enis Abdurrahmani, për të marrë përgjigje rreth gjendjes në “Trepçë”, por ai nuk është përgjigjur.

/Shqip.com