Sport Ndërkombëtar

Joao Felix (nuk) beson në ato që thuhen për Simeonen

Joao Felix u largua nga Atletico Madrid pas përplasjeve me trajnerin Diego Simeone dhe u huazua deri në fund të sezonit te Chelsea. Megjithatë, duke folur për trajnerin argjentinas, u duk se nuk kishte aspak mëri.

Ai vlerësoi jo pak Simeonen, duke e cilësuar si një nga trajnerët më të mirë dhe duke pranuar se nën urdhrat e tij është përmirësuar ndjeshëm.

“Simeonen e njohin të gjithë dhe e dinë çfarë ka fituar. Është një trajner shumë i mirë, që ka mënyrën e vet të punës dhe që normalisht nuk mund t’u përshtatet të gjithë lojtarëve. Megjithatë, unë jam përmirësuar shumë nën urdhrat e tij”, deklaroi Joao Felix.

Në Spanjë shfaqen të sigurt që në verë Simeone do të largohet nga Atletico dhe Joao Felix do të rikthehet sërish, por portugezi nuk duket kaq optimist.

“U bë shumë kohë që shkruhet se Simeone do të largohet në fund të sezonit, por më pas ai konfirmohet gjithmonë. Ndaj nuk besoj më asgjë nga këto. Nëse qëndron, është mirë, por nëse do të largohet, atëherë i uroj më të mirën”, u shpreh portugezi.

/Shqip.com