Lajme

Jevtiq: Edhe zyrtarët serb në jug të Mitrovicës duhet t’i lënë institucionet

Nënkryetari i Listës Serbe

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq ka thënë se zyrtarët serb në jug të Mitrovicës duhet të largohen nga institucionet.

Siç kanë raportuar mediat serbe, Jevtiq ka thënë se nëse gjendja sërish nuk ndryshon sa i përket Qeverisë së Kosovës, ai shpreson se serbët në jug të marrin vendimin e ‘duhur’.

“Ky është opinioni im, ky është qëndrimi i kolegëve të mi. Personalisht e informova presidentin e Listës Serbe, z. Rakiç, me shkrim se besoj se përfaqësuesit politikë të serbëve, dhe se serbët në përgjithësi në jug të Ibrit duhet të largohen nga institucioni dhe kjo është ende një çështje që është ende e hapur. Nëse gjendja nuk ndryshon dhe dhuna institucionale kundër serbëve nuk do të ndalet jam pothuajse i sigurt se serbët në jug të lumit Iber do të marrin gjithashtu të njëjtin vendim,” tha Jevtiç.

Sipas Jevtiqit, zgjedhja e kësaj çështje qëndron në kompromise.

“Zgjidhja është në kompromise, zgjidhja është se komuniteti ndërkombëtar nuk është më i heshtur për gjëra të tilla, por për të bërë diçka konkrete. Nëse qeveria do të bjerë apo jo mund të mos jetë një pyetje për ne tani, ne nuk jemi shumë të interesuar për këtë, sepse një zgjidhje mund të gjendet ende sot nëse dikush në Uashington dhe Bruksel shumë qartë thotë stop, mjaft z. Kurti, nuk mund të jetë më kështu. Ne ju kemi dëgjuar mjaft, na keni gënjyer shumë, keni marrë shumë vendime të pamatura, ky është momenti në të cilin duhet të uleni në tryezë dhe të gjeni një zgjidhje kompromisi”.

Jevtiq ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit lidhur me atë se për vendimet e fundit nuk ka presion nga ndërkombëtarët.

“Kur Kurti e thotë këtë dhe komuniteti ndërkombëtar hesht për këtë, kjo është një shenjë miratimi. Në bisedat që kolegët e mi dhe unë patëm pikërisht me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ne nuk morëm një përshtypje të tillë, sepse morëm garanci prej tyre se do të kishte një shtyrje të vendimit për ri-regjistrimin, se ata do të futeshin në mënyrë specifike në disa procese që nënkuptojnë posaçërisht formimin e ZSO-së dhe se ata kishin garanci nga Kurti . Ky është vetëm një konfirmim i faktit se Kurti jo vetëm që ka një qëndrim të pasinqertë dhe të papërgjegjshëm ndaj popullit serb dhe përfaqësuesve politikë serbë, por ky është një qëndrim i pasaktë dhe i papërgjegjshëm ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare”.

Kosova ka hyrë në ditën e pestë të tensioneve në katër komunat veriore të vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan).

Serbët gjetën arsye të ngritin tensionet pas suspendimit të Drejtorit të Policisë për rajonin e Veriut.

Kjo solli largimin e mbi 500 zyrtarëve policor, gjykatësve, kryetarëve dhe këshilltarëve komunal.

Serbët gjithashtu, mbajtën një protestë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për presion.

Në të njëjtën linjë janë edhe qeveritarë nga Serbia.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, këto hapa i cilësoi si pjesë e planit të Serbisë për të mos pranuar dokumentin franko-gjerman.

Ai dha shenja mbështetjeje për këtë plan, derisa pranoi se Kosova ka dërguar përgjigjet e saj në Bruksel.

Publikimi i këtyre detajeve erdhi pak kohë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia po diskutojnë për përmbajtjen e planit që nga pranvera e këtij viti.

Deri më tani, zyrtarët qeveritarë të Kosovës dokumentin në fjalë e kishin quajtur të rremë.

Gjatë së hënës vijimësisë së dorëheqjeve iu bashkëngjit edhe Lista Serbe, deputetët e së cilës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Krerë të institucioneve qendrore mbajtën takime, derisa ende nuk është përcaktuar se si do të veprohet tutje.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, ka bërë thirrje vazhdimisht që palët të mos nxisin rritje të tensioneve, ndërsa Kosovës i është kërkuar që ta shtyjë vendimin për targat sipas propozimit të BE-së dhe SHBA-ve për 10 mua, si dhe të nis procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deri më tani, kreu i qeverisë kosovare, nuk ka dhënë shenja se do ta bëjë ndonjërën prej tyre.

/Shqip.com