Kulturë Kino

Jepet premiera e filmit “Tavolina”

Jepet premiera e filmit “Tavolina”
Jepet premiera e filmit “Tavolina”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, mori pjesë në Premierën e filmit “Tavolina” dhe ekspozitën për të pagjeturit nga fotografi Artan Korenica, në Muzeun Etnologjik të Kosovës.

Me këtë rast, Kurti falënderoi Qendrën Kinematografike të Kosovës që ka mundësuar realizimin e këtij filmi, që siç tha ai, aq shumë i afrohet përjetimit të vërtetë të nënës Ferdonije.

Ne e dimë rastin e nënës Ferdonije së cilës i janë rrëmbyer katër djemtë dhe burri, por është e pamundshme të mos tronditesh e trishtohesh kur e sheh në film të personifikuar nënën Ferdonije nga aktorja jonë e mirënjohur dhe e shkëlqyeshme Arta Muçaj, e cila nuk ka qenë e mundur të thotë më shumë pa folur fare”, tha ai.

Nënën Ferdonije, kryeministri Kurti e përshkroi si një grua e cila është forcuar aq shumë nga dhembja sa që na jep fuqi të gjithë neve të tjerëve.

Sot më 8 Mars në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me një grua si nëna Ferdonije ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën kohë edhe fuqinë për të ardhmen e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije”, u shpreh ai.

/Shqip.com