Jep dorëheqje Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqje nga ky post dhe nga pozita e kryetarit të LSDM-së, transmeton Shqip.com
Zaev lajmin për dorëheqjen e tij nga të gjitha pozitat që mbanë e dha nëpërmjet një konference për media të mbajtur të dielën pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Nëpërmjet këtij adresimi për shtyp në Shkup, ai uroi kundërshtarët politikë për fitoren në zgjedhjet komunale.

“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, tha Zaev.
“Do të qëndroj ende këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në ri-organizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, ka shtuar Zaev.
Partia e Zaevit nuk shënoi rezultate të mira në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale në Maqedoninë Veriore.
Ai vetë e vlerësoi si humbje të madhe rezultatin në këto zgjedhje, me ç’rast u lirua nga pozita e kryeministrit të vendit dhe e kryetarit të partisë. /Shqip.com